E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm miraton katër kandidaturat për ambasadorë të Shqipërisë

TIRANE - Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme ka shqyrtuar dje katër kandidaturat për ambasadorë plotësimin e vendeve vakante në disa seli diplomatike në shtete të ndryshme. Ndër kandidaturat e propozuara ishin Sokol Gjoka në Federatën Ruse, Fatos Kërçiku në Republikën e Indisë, Nuri Domi në Republikën Arabe të Sirisë dhe Egjipt, si dhe Gazmend Barbullushi në Mbretërinë e Holandës. Pas seancës, së zhvilluar pa praninë e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Kryetari i komisionit Preç Zogaj, në përfundim të seancës tha se kandidaturat e paraqitura u vlerësuan pozitivisht nga deputetet, përfshirë këtu dhe faktin se të katër kandidaturat janë diplomatë karriere.
Lidhur me mospraninë e deputetëve të PS në mbledhjen e Komisionit, Zogaj tha se “Shpreh keqardhje për mospraninë e tyre, por socialistët janë të mendimit se nuk duhen emëruar ambasadorë para zgjedhjeve. Zgjedhjet janë në horizont, nuk janë kaq afër dhe mendoj se duhet ta shkëpusim konceptin e zgjedhjeve nga koncepti i emërimit të ambasadorëve. Diplomacinë duhet ta shohim përtej ngjarjeve politike, siç janë zgjedhjet”.
Duke e vlerësuar si të palogjikshëm vendimin e socialistëve, Zogaj u shpreh se “Presidenti i Republikës, që në funksionet e veta përfaqëson jo vetëm unitetin e popullit, por dhe vazhdimin e pushtetit, kur bëhen zgjedhje apo ka ndryshime politike në parlament, është kompetent që të emërojë ambasadorë edhe ditën e zgjedhjeve. Sipas pikëpamjes së mazhorancës ligji është në fuqi dhe zbatohet kurdoherë dhe nuk ka asnjë arsye për moratorium, sepse nuk kemi të drejtë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›