PSD-ja e Gjinushit vreroset nga aplikimi i Shqipërisë si kandidat për në BE
Diana Çuli vjell vrerin e xhelozisë kundër procesit
TIRANE - Socialdemokratët e Skënder Gjinushit kanë vjellë dje vrer sipas mënyrës së
tyre ndaj lajmit që kumtoi dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha sipas të cilit përkundër hamendjeve dashakeqe mediatike, qeveria shqiptare dorëzon së shpejti
në Bruksel, kërkesën e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për të atakuar këtë pragsuksesi të ri, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Socialdemokrate Diana Çuli ka deklaruar dje se mazhoranca nuk ka mbajtur premtimin e dhënë sipas saj në vitin 2005 për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në një kohë që një gjë e tillë do të ndodhë pikërisht brenda këtij mandati qeverisës dhe brenda presidencës ceke.
Dy ditë më parë gjatë mbledhjes së grupit parlamentare të partisë Demokratike, kreu i qeverisë Berisha theksoi se “Shqipëria tani i ka të gjitha rrugët e hapura që brenda Presidencës çeke të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit. Se mund të shtyhet pak është normale. Ne i mirëkuptojmë miqtë, por brenda Presidencës çeke ne do ta paraqesim aplikimin dhe e meritojmë plotësisht për faktin se përfundoi tërësisht Marrëveshja, edhe raporti i Komisionit Evropian është i tillë që jep dritën jeshile tërësisht për Shqipërinë, ndaj dhe u ndala më shumë në këtë moment sepse edhe ky është një moment historik, është një hap jashtëzakonisht i madh në drejtim të realizimit të projektit tjetër madhor të kombit për këtë shekull; anëtarësimi i Shqipërisë në BE”.