Komisioni i Jashtëm, "ok" tre ambasadorëve
Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje vetëm me votat e mazhorancës tre ambasadorë të rinj, të cilët do të drejtojnë misionet tona diplomatike në Gjermani, Portugali dhe Serbi. Opozita ka qenë kundër, ndaj nuk ka marrë pjesë në procesin e votimit. Shqipëria do të dërgojë në Gjermani ambasadorin Valter Ibrahimi, në Portugali Edmond Trakon, ku në këtë shtet vendi ynë hap për herë të parë ambasadë dhe në Serbi Shpëtim Caushin. Pas miratimit të tre kandidaturave për ambasador nga Komisioni i Jashtëm, pritet që ata t‘i kalojnë për dekretim Presidentit të Republikës. Pas dekretit të Presidentit, shteti shqiptar mund t‘i ngarkojë zyrtarisht këta emra që të përfaqësojnë Shqipërinë në vendet përkatëse ku ata janë akredituar. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, deputeti Besnik Mustafaj është shprehur se "zgjedhjet janë bërë të mira, z. Imbrahimi është një diplomat i spikatur, z. Caushi është një diplomat me shumë eksperiencë dhe shkon në Beograd në një moment të rëndësishëm për politikën rajonale, për politikën shqiptare në Ballkan, por edhe për marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Serbisë. Jam i bindur se z. Trako do të mundë të bëjë gjithë atë punë që kërkon një mundim të madh për hapjen e një ambasade, qoftë për anën logjistike, qoftë edhe për vënien e kontakteve të para". Po kështu, kandidaturat janë vlerësuar edhe nga deputeti Ceka, i cili ka theksuar se nuk mund të thuash asgjë tjetër veçse fjalë të mira për punën dinjitoze që kanë bërë deri më tani. Por, këto vende kanë muaj që janë pa ambasador, për shkak të një konflikti të heshtur që ka pasur mes institucionit të Kryeministrisë dhe Presidencës. Ky i fundit ka mbajtur në tryezën e tij të punës, duke mos e dekretuar kandidaturën e Mal Berishës si ambasador në Gjermani. Por emërimi i ambasadorëve të rinj gjatë këtyre viteve ka qenë një objekt i fortë debati mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës në Komisionin e Jashtëm shpeshherë janë shprehur kundër emërimeve të ambasadorëve, duke theksuar se pjesa më e madhe kanë qenë emërime politike, duke i humbur efikasitetin diplomacisë shqiptare.