Dade: Diplomacia s‘ka nevojë për arnime në 3 muajt e fundit
Nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, deputetja e PS-së, Arta Dade, ka bërë të ditur dje arsyen se pse kanë munguar anëtarët socialistë në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ku u miratuan tre kandidatët për ambasadorë. Dade tha se deputetët e opozitës i kishin kërkuar kryetarit të komisionit, Zogaj, që të mos e zhvillonte seancën dëgjimore lidhur me emërimin e ambasadorëve, edhe për arsyen e thjeshtë, se ka vetëm 3 muaj deri në momentin që do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri aktual nuk mund të emërojë ambasadorë, të cilët presupozohet se do të përfaqësojnë shtetin. "Menduam që, duke qenë se ky problem nuk është zgjidhur dhe diplomacia shqiptare sot përballet me probleme vërtet serioze, nuk ka pse të bëhen arnime, duke sjellë kandidatura në emergjencë për ambasadorë, në ato vende ku ka më se 10 muaj që kanë mbetur të pa mbuluar me ambasador", është shprehur Dade. Gjithashtu, ajo ka theksuar se opozita ka kundërshtimet e veta lidhur me lëvizjet e pajustifikuara në nivel ambasadorësh. Këto nuk mund të bëhen pa një skemë totale dhe një zgjidhje përfundimtare të funksionimit dhe zbatimit të ligjit për shërbimin e jashtëm. Për këtë, opozita dhe përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Jashtëm, kanë kërkuar praninë e ministrit të Jashtëm, Basha, jo vetëm për problemin e emërimit të ambasadorëve, duke pasur shkelje ligjore tashmë të bëra publike edhe në raste të tjera emërimesh ambasadorësh, por edhe për një sërë dukurish në shërbimin tonë diplomatik, siç janë rastet e korrupsionit në përfaqësitë tona diplomatike, apo në zyrat konsullore.