E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Monitoroni ligjin e "dosjeve" dhe zgjedhjet

Prej dy ditësh në Shqipëri ndodhen dy raporterë të Këshillit të Evropës, të cilët po mbledhin fakte në lidhje me ligjin e dosjeve të miratuar para pak ditësh nga Kuvendi, për rastin Biberaj dhe incidentin e ndodhur në gazetën "Tema". Ashtu siç kishin paralajmëruar dy raporterët Jakko Laakso nga Finlanda dhe David Wilshire nga Britania e Madhe, kanë takuar disa nga zyrtarët e lartë të shtetit për të vijuar takimet e tyre ditën e sotme me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha. Më pas ata do të dalin në një konferencë për shtyp, për të bërë të ditur publikisht faktet e mbledhura. Dita e djeshme e dy raporterëve të KE-së ka qenë mjaft e ngjeshur. Në ambientet e hotel "Sheraton", nga ora 08.00 deri në 09.00 dy raporterët kanë takuar botuesin e gazetës "Tema", Mero Baze, nga ku mësohet se thelbi i pyetjeve të tyre ndaj botuesit Baze ka qenë rreth marrëdhënieve të tij të tensionuara me qeverinë, problemet e gazetës, si dhe djegien e makinës së tij personale. Gjithashtu, pjesë e bisedës mes dy raporterëve dhe botuesit Baze kanë qenë edhe akuzat më të fundit që ai ka ngritur në gazetën e tij në lidhje me rrugën Durrës-Kukës dhe shpërthimin e Gërdecit. Pas takimit me Mero Bazen, dy raporterët i janë drejtuar Kryesisë së Kuvendit, ku janë pritur nga kryetarja Jozefina Topalli në një takim të zhvilluar po ashtu pa praninë e medias. Por, pas takimit, zyra e shtypit të Kuvendit ka bërë të ditur objektin e diskutimit mes kryetares Topalli dhe dy raporterëve. Në njoftim thuhet se mes tyre është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe për veprimtarinë e Kuvendit. Topalli ka bërë një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre. Ajo, thuhet në njoftim, ka vlerësuar frymën e konsensusit politik për miratimin e Kodit Elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet. Gjithashtu, bëhet e ditur se Kryetarja e Kuvendit ka ftuar anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për ta monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe ka shprehur vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më tej, Kryetarja e Kuvendit ka bërë një paraqitje të të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit të ligjit të lustracionit. Ajo ka theksuar se ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. "Ky është një ligj i domosdoshëm, për t‘u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja", është shprehur Topalli. Gjithashtu, ajo ka garantuar dy raporterët, se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve. Kryetarja e Kuvendit ka ftuar, përmes raporterëve, Këshillin e Evropës të monitorojë zbatimin e këtij ligji. Pas takimit me kryeparlamentaren Topalli, dy raporterët kanë zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Genc Pollo. Pas takimit me Pollon, të dy raporterët janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Bujar Nishani. Ndërsa ditën e sotme, pjesë e takimeve të dy raporterëve do të jenë edhe krerët e Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së. Pas këtyre takimeve dhe fakteve të mbledhura prej tyre, raportuesit do të përgatisin një raport në lidhje me respektimin e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Këshillit të Evropës, ku temat kyçe do të jenë ligji e dosjeve, përgatitja e zgjedhjeve parlamentare dhe ndjekja e Rezolutës 1650 të këtij viti, pra rasti i shkarkimit të deputetit Biberaj nga kryesimi i delegacionit tonë parlamentar në Strasburg. Se cili do të jetë thelbi i raportit të tyre, kjo mbetet për t‘u parë në ditët në vijim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›