E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve, debate për buxhetin e Kushtetueses dhe pushtetit vendor

Projektbuxheti i vitit 2012 është diskutuar sot në Komisionin e Ligjeve, ku Gjykata Kushtetuese është shprehur kundër buxhetit që qeveria i ka akorduar asaj për vitin e ardhshëm.

Përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese e kanë cilësuar të pamjaftueshëm buxhetin e akorduar nga qeveria dhe ka kërkuar një fond shtesë prej 10 milionë lekësh të reja, të cilat do të përdoren për aktivitetet e 100-vjetorit të pavarësisë. Kjo kërkesë është mbështetur nga anëtarët e maxhorancës në komision, ndërsa socialistët kanë kërkuar që për festimet të krijohet një fond i veçantë.

Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar që pagat e punonjësve të këtij institucioni të mbeten në nivelet e mëparshme, duke theksuar se ndryshimi i tyre do të cenonte pavarësinë e tij.

Buxheti i pushtetit vendor ka qenë një tjetër çështje e cila ka ndezur debatin mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës. Deputetët e majtë janë shprehur se ka diskriminim në ndarjen e fondeve për rajonet dhe janë bërë dallime politike në shpërndarjen e buxhetit.
Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, është shprehur se nuk ekzistojnë keqpërdorimet politike në shpërndarjen e fondeve për rajonet, por disa bashki që i harxhojnë para kohe fondet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›