Shqipëria është pa shërbim sekret, SHISH-i ka vetëm 11 agjentë në terren!
Shërbimi Informativ Shtetëror nuk funksionon për shkak të mungesës së fondeve. Nga 800 informatorë që ka Shërbimi, vetëm 11 prej tyre dalin në punë pasi shteti nuk ka më mundësi ti paguajë. Kjo është deklaruar dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. I thërritur për të raportuar në një seancë me dyer të mbyllura, Shaqiri ka kërkuar ndihmën e deputetëve që Shërbimi të kryejë veprimtarinë për të cilën është ngarkuar nga Kushtetuta.
Në raportimin e djeshëm drejtori Shaqiri kërkoi 94,6 milion lekë të reja për vitin e ardhshëm me qëllim plotësimin e nevojave dhe për realizmin e objektivave të vendosur. Sipas tij, fondi i akorduar nga projektbuxheti në shifrat 13 miliardë lekë të vjetra është i pamjaftueshëm për të mbushur gropat që janë hapur nga vitet e kaluara dhe jo më për të vazhduar punën e vitin 2012.
Fondi shtesë i kërkuar nga drejtuesi i SHISH-it, Shaqiri lidhej me zërin 600, 601 dhe 602, të cilat janë përkatësisht pagat, sigurimet shoqërore dhe me shpenzimet korente. Një nga shqetësimet ka qenë dhënie e shpërblimeve për informatorët të cilët për disa vite nuk po paguhen. Mësohet se drejtori i SHISH ka deklaruar se puna është paralizuar pasi nga rreth 800 punonjës që ka ky institucion, vetëm 11 informatorë në ditë mund të dalin në aktivitet, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm. Ndërsa pjesa tjetër është detyruar që të rrijë në pritje duke lënë të parealizuara shumë prej aktiviteteve të parashikuara më parë. Nuk kemi fonde për të paguar informatorët, punonjësit që dalin në reformë, blerjen e informacionit nga burimet. Në një ditë vetëm 11 punonjës dalin në shërbim ose e thënë ndryshe vetëm 1,1 për qind, për shkak të fondeve,- mësohet të ketë deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i SHISH.
Edhe pse Shërbimi Informativ Shtetëror, për shkak të natyrës së punës, duhet të ishte më i kompletuari me teknologjinë e re, drejtori i SHISH shprehu shqetësimin për objektet më të domosdoshme madje edhe letra për të mbajtur shënim informacionet. Skemi lekë as për letër për të mbajtur informacionet, as për blerjen e antenave si dhe për të kryer përgjimet e telefonit,- u shpreh Shaqiri. Ai shpjegoi se teknologjia e lartë është një luks që SHISH-i nuk mund tia lejojë vetes në një kohë kur personat që ndiqen nga Shërbimi përdorin pajisje nga më të avancuarat.
Situatë tejet e problematike u paraqit edhe për automjetet e këtij shërbimi. Nga 260 automjete që ka në pronësi Shërbimi, punonjësit mund të përdorin vetëm 15 makina. Vetëm këto janë në kushte për të kryer veprimtarinë. Në një kohë kur institucionet e tjera kanë diku tek 300 makina në gjendje pune, kreu i SHISH-it deklaroi se 15 makinat e vetme që ka në përdorim janë tejet të amortizuara deri në 80-90 për qind të tyre duke vendosur në vështirësi operacionet.
Kuvendi: SHISH-it ti shtojmë edhe 50 mln lekë
Anëtarët e Komisionit të Sigurisë debatuan dje lidhur me buxhetin akorduar Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas tyre, institucioni i sigurisë kombëtare është diskriminuar si pasojë e luftës politike nga mazhoranca. Deputetët Gazmir Bizhga dhe Paulin Sterkaj kërkuan plotësimin e kërkesës së SHISH, duke deklaruar se është institucion që i shërben kombit, nuk është i partive politike dhe se nuk duhet parë me syrin e njerkës.
Me kërkesë të kryetarit të Komisionit të Sigurisë Leonard Demi dhe pas konsultimit edhe me anëtarët e tjerë të këtij komisioni dhe Drejtoreshën e Buxhetit në Ministrinë e Financave u ra dakord që ti drejtohen Komisionit të Ekonomisë me një kërkesë për shtim fondi me 50 milion lekë të reja. Prej më se dy vitesh SHISH ka pasur mungesa të theksuara fondesh duke kufizuar ndjeshëm veprimtarinë e tij pasi nuk ka qenë në gjendje që të paguajë informatorët. Opozita ka akuzuar mazhorancës se po hakmerret ndaj këtij shërbimi për arsye politike. Tashmë është publike marrëdhënia konfliktuale ndërmjet kryeministrit Berisha me Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke tentuar edhe shkarkimin e tij nëpërmjet një drafti të dërguar në parlament një vit më parë, por që nuk mundi të miratohej. Kryeministri Berisha është në vitin e shtatë të qeverisjes së tij, por deri më tani nuk është takuar asnjë herë me kryetarin e SHISH-it.
