E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesioni i ri i Kuvendit, gati rikonfigurimet e grupeve parlamentare



Sesioni i ri parlamentar duket se do të nisë ashtu siç përfundoi. Bëhet fjalë për rikonfigurimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Grupi më i ri parlamentar është “Grupi i qendrës”, i shpallur në fund të sesionit të kaluar, ndërkohë që tashmë është zyrtarizuar në Kuvend. Ky grup përbëhet nga ish-deputeti i PD-së, Flori Bajramaj, si dhe nga 6-ish-deputetët e Partisë Socialiste, të cilët u përjashtuan nga kjo parti pasi thyen vendimin politik të selisë rozë, duke marrë pjesë në seancat e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ndryshime të tjera priten edhe brenda së djathtës, pas shkrirjes së Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike. Kuvendi në këtë sesion të ri do të ketë zhvillime edhe brenda grupeve parlamentare të opozitës dhe në radhët e deputetëve të saj. Dy prej lëvizjeve të mundshme duket se do të jetë bashkimi me Grupin Parlamentar të LSI-së, së deputetit të PAD-së Neritan Ceka dhe të deputetit të PS-së, Petro Koçi. Që në përfundim të legjislaturës së kaluar, si Ceka ashtu edhe Koçi kanë paralajmëruar bashkimin e mundshëm me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, i pyetur nga gazetarët nëse LSI-ja ka nisur negociata për të afruar në Grupin Parlamentar deputetë të tjerë të Parlamentit, tha: “Konventa Kombëtare e LSI-së e ka vendosur qartë që LSI-ja do të kontribuojë për krijimin e një koalicioni jo vetëm sfidues, por edhe fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo është një punë, e cila tashmë ka nisur dhe që do të konkretizohet hap pas hapi, por të jeni të sigurt që do të jetë një koalicion fitues. Të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar në këtë përpjekje tepër principiale të LSI-së. Njëkohësisht secili është sovran të vendosë për fatin e tij apo të forcës politike që përfaqëson. Ne vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi principe, nuk vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi presje dhjetore apo koalicionin e ndërtuar mbi bishta. Ky nuk është morali dhe filozofia e Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›