E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot P/Ligjin “Për Gjykatat Administrative”


Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi sot projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”, një nga draftet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. I pranishëm në mbledhjen e sotme, Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vlerësoi rëndësinë e këtij ligji, ndërsa theksoi se "për hartimin e tij është marrë për bazë edhe ekspertiza më e mirë ndërkombëtare, pasi "gjykimi i një mosmarrëveshje administrative është një risi për Shqipërinë.Filozofia mbi të cilën Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë është bazuar për sa i takon ndërmarrjes së iniciativave ligjore ka qenë se këto janë reforma ligjore që i përkasin jo vetëm ministrisë apo qeverisë, por edhe parlamentit dhe të gjitha grupeve politike dhe juridike", tha ministri Alibeaj. Duke theksuar eksperiencën shumë të mirë që është arritur me miratimin e dy ligjeve bazë të reformës në drejtësi, ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe atij "Për prokurorinë", Ministri i Drejtësisë shprehu bindjen se me miratimin e këtij ligji "do të arrihet një standard më i lartë suksesi". Në këtë kuadër, zoti Alibeaj theksoi se "për hartimin e draftit të paraqitur, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ndihmën e ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, ndaj dhe në boshtin e vet, ky projektligj ka pikërisht këtë ekspertizë". Në mënyrë që ky ligj të ishte më i prekshëm edhe nga gjyqtarët, Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se "grupi i punës ka qenë i përbërë jo vetëm nga ekspertë të huaj dhe vendas, por edhe nga gjyqtarë. Kemi parashikuar që administrata gjyqësore dhe ajo pjesë e administratës shtetërore që në çdo rast do të jetë pjesë e procesit gjyqësor administrativ, të kenë një kohë të mjaftueshme që t'i nënshtrohen procedurave të trajnimit për zbatimin e këtij ligji", tha ministri. Nga ana tjetër, ai theksoi se "ky proces ka përfshirë edhe të gjitha opinionet e institucioneve të rëndësishme të vendit". Projektligji "Për Gjykatën Administrative" është gjithashtu një iniciativë e mirëpritur nga Partia Socialiste, e cila ka mbështetur vazhdimisht qëllimin e këtij projekti. Në këtë drejtim, nënkryetari socialist i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj, vuri në dukje se "është i nevojshëm një ndryshim esencial në fushën e gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative, ndaj dhe PS është e gatshme të kontribuojë seriozisht në këtë proces debati. Krijimi i kësaj hallke të re për sistemin gjyqësor shqiptar është e domosdoshme, por përpara se të strukturohet në një vendimmarrje ligjore duhet të kuptohet e vlerësohet shumë më mirë nga ne si ligjvënës se çfarë janë gjykatat administrative, cili është funksioni i tyre, me se merren, çfarë kompetencash kanë, si dallojnë nga gjykatat e sistemit të zakonshëm gjyqësor, si konceptohet piramida e gjykimit administrativ etj", u shpreh Xhafaj. Duke renditur disa nga ndryshimet që ekzistojnë midis gjykatës administrative dhe gjykatës së zakonshme, deputeti socialist vuri në dukje se "kërkohet një debat i hapur dhe më i plotë mbi nevojën e krijimit të kësaj gjykate". Gjithashtu, sipas tij, "kërkohet harmonizimi i përmbajtjes dhe zgjidhjeve të këtij pr/ligji me ndryshime të njëkohshme në disa ligje të tjera të rëndësishme të legjislacionit procedural civil dhe atij administrativ". Nënkryetari socialist, Xhafaj kërkoi edhe "marrjen e të gjitha garancive reale nga ana e ekzekutivit për sigurimin e ambienteve të përshtatshme për gjykime që sigurojnë akses të plotë. Jemi të mendimit se reformat afatgjata dhe të qëndrueshme, të cilat i përgjigjen nevojave reale të zhvillimit mund të kryhen vetëm pas diskutimeve e konsultimeve me aktorët e fushës (gjyqtarë, avokatë, grupet e interesit) dhe domosdoshmërisht me partneret ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë procesin e reformave në sistemin tonë të drejtësisë", tha zoti Xhafaj. Krijimi i rrjetit të gjykatave administrative parashikon mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve, (një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj në apel), një periudhe kohore shumë e shkurtër.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›