Brenda tre vitesh Shqipëria do të ketë infrastukturë moderne

Shqipëria brenda tre vitesh do të ketë një rrjet rrugor modern dhe sipas standarteve evropiane. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi deklaroi mbrëmjen e djeshme në një nga studiot televizive se Shqipëria ka për të përfunduar brenda 3-4 vjetësh ndërtimin e rrjetit rrugor, i cili do të jetë modern. Sipas Olldashit, i gjithë vendi do të lidhet me rrugë me 4 korsi, ndërsa do të bëhet i mundur ndërtimi jo vetëm i akseve kryesore rrugore, por edhe në ato dytësore dhe terciale. "Janë mijëra kilometra në zona më pak të zhvilluara të vendit, rrugë që të çojnë në zona të mëdha bujqësore, rrjeti rrugor drejt bregdetit, por edhe rrugët hyrëse e ato lidhëse të qyteteve,ku buxhetet e bashkive nuk e përballojnë dot dhe ne kemi ndërhyrë ", deklaroi kreu i MPPTT-së, Olldashi. Sipas tij, po progresojmë në një sërë aksesh rrugore, të cilat do të lidhin Vlorën me Shkodrën me 4 korsi. Duke u ndalur në ecurinë e secilit prej tyre, Olldashi u shpreh se aktualisht segmenti rrugor Rrëshen-Kalimash është me katër korsi, ndërsa edhe nga Kalimashi në Morinë është po me 4 korsi kalimi. Ai tha se edhe në segmentin rrugor Rrëshen-Milot, i cili është me 2 korsi aktualisht, ndërsa shtoi se po punohet me projektin për zgjerimin e këtij aksi për ta shndërruar në 4 korsi. Sipas Olldashit, ka filluar puna nga Miloti në drejtim të Thumanës për ndërtimin e superstradës së Veriut me 4 korsi dhe do të vazhdohet të progresohet me lotet e tjera drejt nyjës së Vorës, si dhe by-passit të Shkozetit, që është edhe rruga paralele e Plazhit, e që do të bëhet një korridor transporti autostradal. Më tej, vijoi ai, ka filluar puna për ndërtimin e segmentit rrugor nga Plepat drejt Rrogozhinës, ndërsa nga Rrogozhina në Lushnjë është me 4 korsi. Segmenti Lushnje-Fier, sipas tij, pothuajse është mbyllur. Ai vijoi duke shtuar se nga Fieri në Levan, ka një problem në projektin e mëparshëm, i cili kalonte në mes të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, dhe ne kemi ndërhyrë për ta spostuar këtë rrugë, por do të vijojnë punimet dhe shumë shpjet edhe kjo rrugë do të jetë me 4 korsi. Përsa i takon rrugës Levan-Vlorë, punimet sipas kreut të MPPTT-së, pritet të përfundojnë në fund të vitit , ndërsa shtoi se rruga ndjek trajektoren e hekurudhës Fier-Vlorë. Ministri Olldashi tha se kanë filluar punimet edhe për projektimin e segmenteve të aksit të Jugut, i cili do të jetë projekti madhor i mandatit të dytë të kësaj qeverisje. "Ky bosht pritet të kalojë nga Tirana në drejtim të Elbasanit- Kucovës-Beratit-Memaliaj-Gjirokastër-Sarandë," theksoi ai.
...