E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve shtyn diskutimin e draftit për administratën gjyqësore



Komisioni Parlamentar i Ligjeve shtyu dje shqyrtimin e projektligjit “Për administratën gjyqësore”, duke rënë dakord që në diskutimin e tij të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të grupeve të interesit. Para marrjes në shqyrtim të këtij projektligji, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, deputetë të opozitës shprehën nevojën për praninë në komision edhe të grupeve të interesuara për këtë draft, të cilët me mendimet dhe sugjerimet e tyre mund të ndihmojnë në përmirësimin e tij. Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, e mbështeti propozimin e deputetëve të majtë për t’i lënë hapësirë edhe mendimit të shoqërisë civile. Projektligji “Për administratën gjyqësore” është një nga më të rëndësishmit e paketës për reformën në Drejtësi, në kuadër edhe të kërkesave për integrimin të vendit në Bashkimin Europian. Projekti synon përcaktimin e saktë të statusit të administratës gjyqësore të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit në punë.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›