Mustafaj: “Nuk jam konsultuar me Berishën për kandidimin në Tiranë”
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka bërë të ditur dje se nuk është konsultuar me kryetarin e partisë për kandidimin për postin e kryetarit të degës së PD-së në Tiranë. Mustafaj ka bërë të ditur se në themel të PD-së nuk qëndron kryetari, por statuti i partisë dhe në bazë të statutit ai ka të drejtë të kandidojë për postin e kryetarit të degës së PD-së në kryeqytet. “Kryeministrin Berisha e kam votuar dhe do të vazhdoj ta votoj sa herë që të kandidojë. Por në themel të PD-së nuk qëndron kryetari i partisë, por statuti, që është votuar nga anëtarësia, dhe unë jam konsultuar me statutin, jo me Berishën për të garuar për kreun e degës së PD-së në Tiranë. Nuk besoj se ka bibël tjetër PD-ja përveç statutit”, - është shprehur ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. I pyetur nëse shpallja e kandidimit të tij ishte i parakohshëm, ai, përkundrazi, tha se ishte i vonuar, pasi fushata zgjedhore në parti duhej të kishte filluar me kohë. Mustafaj gjithashtu shprehu bindjen se Berisha nuk do ta pengojë atë gjatë kandidimit për këtë post në PD-në e Tiranës. “Unë nuk besoj se do të ketë pengesa, pasi nuk jam kundër Berishës”, - është shprehur Mustafaj. Fushata në PD pritet të fillojë muajin e ardhshëm, ndërkohë që Kryesia e partisë duhet të mblidhet që të përcaktojë kalendarin e punimeve.
10 Shtator 2008