PD-ja voton kundër raportimit të KKRT-së në Komisionin e Medias
Deputetët e Partisë Demokratike kanë votuar kundër kërkesës së socialistëve për raportimin e kryetares së KKRT-së në Komisionin Parlamentar të Medias. Mbledhja e djeshme e këtij komisioni është shoqëruar me debate midis palëve. Deputetët socialistë propozuan që Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit të japë llogari për gjobën e vënë ndaj Televizionit Neës 24 dhe paralajmërimit që i dërgoi Televizionit Vizion Plus. Por deputetët e maxhorancës e rrëzuan këtë kërkesë duke argumentuar se KKRT-ja duhet të raportojë para Komisionit të Medias pasi të shprehet gjykata. Sipas deputetëve demokratë, çështja është aktualisht në gjykatë dhe KKRT-ja duhet të raportojë para Komisionit të Medias pasi të shprehet gjykata. Propozimi i socialistëve u hodh poshtë me votat e maxhorancës. Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit gjobiti TV Neës 24 për transmetimin e një reklame të porositur nga lëvizja “G99”. Spoti ishte kundërpërgjigje e reklamës që kryeministri publikoi në disa televizione në lidhje me arritjet dhe synimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit. KKRT-ja argumentoi se vendimi mbështetej në nenin 55, sipas të cilit, nuk lejohej publikimi i reklamave të partive politike jashtë fushatës elektorale.
10 Shtator 2008