Komisioni i Ligjeve vijon sot diskutimet për Gjykatën Administrative
Komisioni i Ligjeve do të nisë sot debatin për Gjykatën Administrative. Mbledhja ishte programuar për ditën e djeshme, por shtyrja është bërë për shkak të mungesës së relatorit për Gjykatën Administrative Armando Subashi.
Ndërkohë në mbledhjen e kaluar, palët në komisionin e ligjeve miratuan me konsensus ngritjen e kolegjit të Gjykatës Administrative. Pas diskutimeve në komisionin për formulën e këtij kolegji palët kanë rënë dakord që kolegji administrativ do të përbëhet nga 5 gjyqtarë, të cilat janë pjesë e Gjykatës së Lartë.
Po ashtu në komision u ra dakord edhe sa i përket numrit të gjyqtarëve të Gjykatave Administrative, ku pas propozimit të PS-së u vendos që trupi gjykues të përbëhet nga 1 gjyqtar, në përjashtim rastet e kontratave administrative kur trupi gjykues përbëhet nga 3 gjyqtar.
Ligji i Gjykatës Administrative vijon të jetë pjesë e diskutimit në komisionit e ligjeve, ndërsa janë kaluar deri tani 17 nenet e para nga 50 të tilla.
Ministria e Punëve të Jashtme, dënon sulmin në Mitrovicë
Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër shpërthimin që shkaktoi vdekjen e një qytetari të pafajshëm në veri të Mitrovicës, si dhe çdo akt tjetër dhune që cenon forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës në veri të Kosovës. MPJ bën thirrje për qetësi e maturi, për kapërcimin e kësaj situate. Duke u dërguar ngushëllime familjarëve për humbjen e pësuar dhe shërim të shpejtë të të lënduarve, shprehim bindjen se autoritetet përgjegjëse, Policia e Kosovës dhe EULEX-i do të sjellin para drejtësisë autorët e këtyre akteve kriminale.
LSI rifreskon strukturat, zgjidhet kreu i LRI në Fier
“Lëvizja Socialiste për Integrim ka organizuar në qytetin e Fierit zgjedhjet për organin e saj rinor, LRI. Kreu i ri i saj në Fier është Napolon Laska, i cili doli fitues me 483 vota nga 818 anëtarë. LSI ka nisur rifreskimin e strukturave të saj në të gjithë vendin. Dy ditë më parë LSI zgjodhi kryetaren e Forumit të Gruas në Durrës, ku me shumicë votash u zgjodh Ferteza Izvira.
Zgjedhjet në PR, Arben Rexha zgjidhet në Gjirokastër
Arben Rexha është zgjedhur në krye të Partisë Republikane për qytetin e Gjirokastrës. Zgjedhja e tij erdhi në konferencën e gjashtë të kësaj partie. Krahas zgjedhjes së kryetarit të partisë për Gjirokastrën, mësohet se konferenca ka pasur në vëmendje një analizë të kësaj dege për 4-vjeçarin e kaluar si dhe sfidat për të ardhmen, në funksion edhe të zgjedhjeve të vitit 2013.