E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbështetje të fuqishme nga kryeministri Erdogan për gazsjellësin TAP dhe investimet”

10-04-2012 / Gazeta 55

Vizita në Turqi, Berisha informon grupin parlamentar
 
Bashkëpunimi shumë planesh mes Shqipërisë dhe Turqisë ishte kryefjala e kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së. Kjo vëmendje erdhi për shkak të vizitës që shefi i qeverisë zhvilloi në Turqi, ku në takimet e shumta me drejtuesit e lartë të këtij vendi, diskutoi mbi çështje të rëndësishme për vendin. Berisha tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur një zhvillim të fuqishëm 20 vitet e fundit, në të gjitha fushat dhe po ecin në lartësinë e ndjenjave miqësore që kombet e vendet tona ushqejnë për njeri-tjetrin. Berisha tha se gjatë këtyre viteve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, investimet turke në Shqipëri janë rritur me shpejtësi, me rreth 9 herë.
Kryeministri ka informuar deputetët se pjesë e diskutimeve me autoritetet e larta turke kanë qenë zgjerimi e thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e energjisë dhe të turizmit.
Ai theksoi se Erdogan pranoi ftesën për të marrë pjesë në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërkaq, kryeministri Sali Berisha reagoi lidhur me deklaratën e tij në Turqi se shqiptarët kanë lidhje gjaku me turqit, e cila më pas solli edhe një qëndrim të disa historianëve në vend. Berisha tha se në Turqi jetojnë më shumë se 6 milionë shqiptarë, ndërsa lidhjet mes dy kombeve janë një realitet historik i pamohueshëm.
Kryeministri tha se historia e dy vendeve daton shekuj më parë, por këto 100 vite janë vitet e bashkëpunimit dinjitoz  midis dy vendeve e kombeve mike, sovrane. Duke vlerësuar lidhjet e hershme miqësore mes Shqipërisë dhe Turqisë, Kryeministri tha se në Turqi ka më shumë shqiptarë se në Ballkan dhe ky është një realitet. Kryeministri tha se janë mbi 6 milion shqiptarë në Turqi dhe janë bërë me miliona martesa.
 
Mbështetja për gazsjellësin TAP, investime turke edhe në turizëm
Kryeministri Berisha theksoi se përveç investimeve turke në Shqipëri, të cilat kanë pësuar rritje e pritet të rriten më shumë, ai ka marrë mbështetjen e homologut Erdogan edhe për projektet e gazit. Berisha tha se Ankaraja mbështet ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit TAP, në territorin shqiptar.
“Në takimet e zhvilluara diskutuam për marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, por një vend të veçantë zuri fusha e energjisë, pasi ajo është edhe përparësia kryesore e qeverisë sonë. Unë mora garanci të plotë nga Kryeministri Erdogan se ai dhe qeveria e tij mbështet plotësisht projektet, që realizojnë kalimin e gazit nëpër Shqipëri dhe bëjnë të mundur që edhe Shqipëria e shqiptarët të shfrytëzojnë potencialin e madh energjetik të kësaj lënde për ngrohje dhe prodhim energjie. Dua të theksoj se kjo mbështetje ka qenë konstante gjatë gjithë këtyre viteve, por ajo është sot më e fuqishme se kurrë. Unë dua të shpreh edhe njëherë një falënderim shumë të përzemërt për këtë mbështetje”, tha kryeministri. Berisha informoi se ka diskutuar gjithashtu dhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit, një spektër i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, veçanërisht vitet e fundit ku numri i vizitorëve i ka kaluar 4 milionë në një vit. Ftesa e kryeministrit ka qenë për biznesin turk, për të rritur investimet në fushën e turizmit.
“Gjatë vizitës diskutuam edhe bashkëpunimin në fushën e turizmit. Turqia ka njohur rritjen më të jashtëzakonshme të turizmit, gjatë këtyre viteve. Ajo ka një ekspertizë të shkëlqyer në shërbime dhe kam shumë besim se premtimet që mora për inkurajimin e investitorëve turq në fushën e turizmit do të bëhen realitet, siç janë bërë në fushatë e tjera”, tha ai.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›