“Në vitin 2013 hartë e re çmimi pronash që shmang vlerësimet disproporcionale”
Kompensimi i pronave, flet zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi
Zëvendësministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi sqaron arsyet pse qeveria vendosi të ndryshojë me vendim dhe pastaj me ligj hartën e çmimeve të pronave. Sipas saj, harta aktuale është kaotike pasi janë konstatuar raste kur pronat ngjitur me njëra - tjetrën, vlerësohen me çmime të ndryshme.
“Nga praktika është vënë re që kjo hartë vlere ka sjellë një disbalancim dhe një mos-koordinim të pronave që janë fqinje me njëra tjetrën, jo në mënyrë proporcionale me sipërfaqet dhe jo në mënyrë proporcionale me vendndodhjen u ndryshon automatikisht vlera e pronës duke bërë që njëra pronë të vlerësohet me tepër se sa ajo që është fqinje, që në fakt nuk duhet të qëndrojë”, u shpreh zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi. Në ligjin e ri për kthimin dhe kompensimin e pronave që pritet të shqyrtohet këtë muaj në Kuvend, shtyhet afati i dorëzimit të dosjeve për kthim dhe kompensim pronash deri në prill të 2013-s.
Po sipas të njëjtit ligj vlera e një pasurie të paluajtshme do të llogaritet si shumë e çmimit të tregut, strukturës inxhinierike dhe qëllimit të përdorimit të kësaj pasurie. Për të shmangur kaosin dhe përplasjet mes institucioneve të ndryshme që merren me pronat, për herë të parë krijohet dhe drejtoria e koordinimit.
“Krijimi i një drejtorie koordinimi të pronës. Nuk ka lidhje me vendimmarrjen, domethënë absolutisht kompetencat e institucioneve, por koordinimin mes vendimeve të dhëna dhe çështjeve që janë pjesë e punës së përditshme, e veprimtarisë e AKKP, ALUIZNI apo ZRPP, do të koordinohen nga kjo drejtori. Nuk sjell asnjë vonesë përveçse standardizon të gjitha praktikat dhe vendimet e mara në këtë fushë”, tha Kasmi.
Kjo drejtori do të kryejë studimet e për ndryshimet e nevojshme në legjislacionin për pronat si dhe do të monitorojë të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.