Siguria e digave, BB jep 15.5 milionë euro për restaurimin e kaskadës së Drinit
Pas përmbytjeve në veri të vendit në 2 vitet e fundit, qeveria shqiptare ka vendosur të ndërhyjë në restaurimin e digave të hidrocentraleve kryesore. 15.5 milion lekë, të marra hua nga Banka Botërore për 17 vite, do të destinohen për hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Po kosto e kësaj marrëveshje huaje, ka qenë ajo që ka shqetësuar opozitën, e cila megjithatë votoi pro kësaj ndërhyrjeje.
“Sigurohet një garanci për të pasur një prodhim maksimal dhe një shfrytëzim optimal të rezervave hidrike, vendosja e aparaturave në trupet e digave të këtyre hidrocentraleve apo dhe në pjesë me risk të madh për të monitoruar edhe spostime, deformimet më të vogla që mund të ketë në trupin e digës apo dhe në sektorë të tjerë me rrezikshmëri të lartë”, u shpreh drejtori i Politikave në ministrinë e Energjetikës, Agim Bregasi.
Ndërsa deputeti socialist Bashkim Fino tha se “brenda 15.5-s nuk janë të gjitha të domosdoshme për t’u përdorur për digat”.
“Pra, na tregon kjo projektmarrëveshje që ka rreth 500 mijë që janë të paelokuara. Ju lihet mundësia dy apo tri veta të shikojnë a janë agregatet në rregull, çfarë do blejnë, si do i blejnë dhe ja lënë mundësinë me një vendim qeverie që normalisht mund të abuzohet”, tha ai.
Paratë do destinohen për rehabilitimin e pajisjeve elektromagnetike në HEC-et e Komanit dhe instalimin e kontroll monitorimit, si dhe rehabilitimin e shkarkuesve të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.