Komisioni i Medias shqyrton rekomandimet e BE-së
Diskutohen rekomandimet e ardhura nga Bashkimi Evropian
Komisioni i Medias ka nisur dje diskutimin e rekomandimeve të ardhura nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës për projektligjin Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë. Ky projektligj i hartuar 3 vite më parë është dërguar në strukturat ndërkombëtare për të marrë mendimin dhe sugjerimet e tyre dhe tashmë është bërë gati drafti ku përfshihen dhe këto rekomandime. Kreu i Komisionit të Medias, Mark Marku, ka sqaruar se dy janë kategoritë e vërejtjeve, janë nene që mungojnë që janë pjesë e rëndësishme e standardeve evropiane, të cilat do të përfshihen si dhe korrigjime për nenet aktuale. Pasi të kalojmë këtë fazë do ta dërgojmë tek ekspertët ndërkombëtarë për të dytën herë dhe më pas do të kalojë në Komisionin parlamentar të Medias, - tha ai. Lidhur me mendimin e opozitës për këtë draft, e cila nuk ishte e pranishme në komision, Marku pohoi se drafti është hartuar nga komisioni i mëparshëm kur opozita ka qenë e pranishme dhe ka dhënë konsensusin e saj. Po ashtu, sqaroi ai, dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve janë të njohura për socialistët, sepse ata kanë qenë pjesë e tryezës me ndërkombëtarët pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë në punimet e komisionit. Marku pohoi se elementë të rëndësishëm të këtij drafti të plotësuar dhe me rekomandimet janë statusi i gazetarit, respektim i privatësisë, i jetës apo kategorive si ajo e minoritarëve në shoqëri apo dhe detyrimi që kanë mediat për të pasqyruar veprimtaritë evropiane në Shqipëri. Sot do të vijojë diskutimi i këtyre rekomandimeve.