E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton sot marrëveshjen për varrezat greke

Pakti ndërmjet dy vendeve është firmosur më 3 shkurt të vitit 2009

Kuvendi pritet të miratojë në seancën e pasdites së sotme marrëveshjen për varrezat greke në vendin tonë. Marrëveshja Për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë është depozituar në Kuvend në 29 prill të vitit të kaluar vetëm dy ditë pas vizitës zyrtare të Kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Tiranë. Pakti ndërmjet dy vendeve është firmosur më 3 shkurt të vitit 2009 në Tiranë, nga dy zëvendësministrat e Mbrojtjes, Zana Xhuka për palën shqiptare dhe Constantine Tassoulas për palën greke. Pakti për krijimin e dy varrezave në Lekli-Këlcyrë me një sipërfaqe 10 mijë metër katrorë dhe në hyrje të fshatit Bularat me një sipërfaqe prej 1.610 metër katrorë, është nënshkruar mbi bazën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Sigurisë dhe Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, nënshkruar në Tiranë, më 21 mars 1996. Të gjithë eshtrat e personave të rënë në luftë, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, që ekzistojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të vendosen në këto vendprehje. Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi i eshtrave do të bëhet nga një komitet i përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë. Në mbledhjen e tij të parë, ky Komitet do të hartojë rregullat procedurale të veprimtarisë së tij, - thuhet në pikën 4 dhe 5 të paktit. Ndërsa në pikën gjashtë theksohet se kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi do të bëhet mbi bazën e arkivave ekzistuese dhe dëshmive të asaj kohe, mbështetur mbi hartat e miratuara nga Komiteti i Përbashkët. Po sot Kuvendi miraton dhe projektligjin Për planifikimin e territorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›