E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e PE-së, eurodeputetët po hartojnë zgjidhjen

Dy deputetë të majtë dhe dy të djathtë nga PE pritet të vijnë në Tiranë me një propozim konkret për kompromisin politik

Pasi dështoi një zgjidhje e ofruar nga delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pritet që të hyjë në lojë Parlamenti Evropian, i cili është angazhuar deri më tani me deklarata dhe thirrje drejtuar partive shqiptare. Burime diplomatike bëjnë të ditur për gazetën se eurodeputeti socialist, zv.president i grupit të majtë në PE, Hanes Svoboda, po bën përpjekje për të krijuar një grup të përbashkët me deputetë të majtë dhe të djathtë, të cilët të hartojnë një propozim konkret për zgjidhjen e ngërçit politik në Tiranë. Jo më larg se dje, grupi socialist i PE-së i dha sinjalet e këtij angazhimi të ri për zgjidhjen e ngërçit politik shqiptar me anë të një deklarate për shtyp. Svoboda dhe zv.presidenti tjetër i grupit të së majtës, Adrian Severin, bënë të ditur se po shohin mundësinë që së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE në Parlamentin Evropian të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi, mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar. Svoboda që është një njohës i mirë i politikës shqiptare ndër vite, ishte në Tiranë një ditë para se Partia Socialiste të vendoste për ndërprerjen e bojkotit të gjatë parlamentar, duke lënë të kuptohej se ai e bindi Edi Ramën për këtë vendim të rëndësishëm. Por Svoboda duket se nuk e ka cilësuar të mbyllur misionin e tij, pasi ndërprerja e bojkotit nuk solli dhe kompromisin e shumëpritur politik mes palëve, për shkak se PS këmbënguli në kushtin e hapjes së kutive, të cilin mazhoranca e quan antikushtetues. Delegacioni që pritet të ngrihet nga përfaqësuesit e djathtë e të majtë në PE do vijë në Tiranë vetëm, pasi të kenë gati një draft-projekt për gjetjen e zgjidhjes, të cilin do të tentojnë tua imponojnë liderëve politikë shqiptarë. Nuk dihet se si europarlamentarët do të gjejnë një zgjidhje konkrete, duke plotësuar kushtin që duket i panegociueshëm nga palët, pra hapjen e kutive. Deri më tani, nga PE kanë ardhur deklarata dhe thirrje që të gjendet dialogu dhe të ketë një hetim të plotë të zgjedhjeve, por nuk është specifikuar hapja e kutive. Qëndrimi i eurodeputetëve të majtë Udhëheqësit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, zëvendëspresidentët Severin dhe Svoboda shprehën shqetësim për situatën politike në Shqipëri. Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të mazhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive te votimit, mbi mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet evropiane të vendit, - thuhet në deklaratë. Më tej, ata iu bëjnë apel të gjitha forcave politike që rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht dhe se duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, me synimin për të forcuar procesin e integrimit evropian të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›