Paralajmërimi i paprecedentë
Nga Ditmir Bushati
Vëmendja e opinionit publik vendas e ndërkombëtar është përqendruar si kurrë më parë në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale që mban të mbërthyer vendin që prej 10 muajsh. Gjatë kësaj periudhe kauza e opozitës për transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 ka bërë progres, duke gjeneruar konsensusin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që u derdhën rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë dhe falë sakrificës së madhe të atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që ndërmorën hapin për të hyrë në një grevë urie, jo si mjet presioni ndaj pushtetit, por si një mundësi për të trokitur në ndërgjegjen e çdo shqiptari patriot të përgjegjshëm për fatin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Falë këtij aksioni kjo çështje është shtruar për zgjidhje në tryezën më të rëndësishme që mund të organizohej në nivel ndërkombëtar. Takimi i Strasburgut ishte vetëm hapi i parë për t’i dhënë një shans zgjidhjes së krizës. Pavarësisht se ky takim nuk u shoqërua me konkludimin e një marrëveshje, sikurse dëshironim të gjithë, partnerët euro atlantik dhe dashamirësit tanë na dhanë dy javë kohë për të zgjidhur krizën bazuar mbi parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë. Unë dua të besoj se Kryeministri është i vetëdijshëm për momentin kritik në të cilin ndodhet vendi dhe kontekstin në të cilën aplikohet afati ultimativ, sikurse dua të shpreh keqardhjen që shurdhëria e maxhorancës dhe kultura e demonizimit të kundërshtarit detyroi dy drejtuesit e grupimeve kryesore në Parlamentin Europian, Martin Shulz dhe Zhosef Daul të kushtëzojnë me pezullim të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, në rast se një marrëveshje e ndershme politike nuk arrihet. Ky paralajmërim i paprecedentë duhet të lexohet me kujdes pasi vetëm pak ditë na ndajnë nga Samiti i Sarajevës nga ku shqiptarët presin me padurim të marrim lajmin e shumëpritur për liberalizimin e vizave. Në rast se nuk arritët në kohë të përmbushni standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave dhe sot nga pikëpamja teknike na duhet të marrim për shembull Bosnjë-Hercegovinën, është detyra dhe përgjegjësia e Kryeministrit për t’i hapur udhë një situatë të re politike në vend, cilësisht të ndryshme nga ajo që po përjetojnë shqiptarët 10 muajt e fundit, çka do të favorizonte procesin e liberalizimit të vizave. Njëkohësisht procesi i avancimit të kandidaturës së Shqipërisë në Bashkimin Europian në mënyrë që të jetë i suksesshëm, nënkupton para së gjithash, sigurimin e kushteve për funksionimin e demokracisë, e cila i ka rrënjët te një proces zgjedhor i drejtë dhe i ndershëm dhe te përfshirja e jo përjashtimi i aktorëve politikë në këtë proces parapërgatitor.
Paralajmërimi i paprecedentë nga komuniteti ndërkombëtar vjen edhe për shkak të faktit se këto 10 muaj kriza politike e institucionale është transformuar në një krizë qeverisëse ku problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët e këtij vendi nuk ka kush t’i adresojë. Spiralja e krizës qeverisëse po prek institucionet kushtetuese të tilla si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. ku procesi i zëvendësimeve të mandateve kushtetuese në vend që të udhëhiqet nga parimet dhe standardet perëndimore po i ngjan një ekzekutimi të institucioneve demokratike. Në vend që të përmirësojmë me profesionistë cilësinë e këtyre institucioneve, çka do të ishte një hap evolucionist i kuptueshëm në mbyllje të dekadës së dytë të tranzicionit postkomunist, maxhoranca po dëshmon qartë se është e vendosur të instalojë një sistem të mbyllur që i shkruan, zbaton dhe interpreton sipas nevojave të ditës Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi.
Gjyqi i shëmtuar javën e kaluar ndaj Vangjel Kostës, i ngjashëm në stil me kohën e monizmit, pa të drejtë mbrojtjeje, por me të ashtuquajtura copëza fletësh vendimesh gjyqësore politike të publikuara në media dhe jo të diskutuara në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, nuk do ta konsideroja si të drejtuar kundër tij, sado që tenton të cenojë dinjitetin njerëzor të një profesionisti, por, ndaj të gjithë atyre që besojnë se në këtë vend mund të ndërtohen e të funksionojnë institucione demokratike. Jemi me shpresën se do të hapet një stinë e re në politikën shqiptare, e cila mundëson jetësimin e perspektivës europiane të Shqipërisë. Kjo marrëdhënie e re duhet të nisë pikësëpari me përcaktimin e modaliteteve të transparencës mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, pasi vetëm përmes këtij procesi Kuvendi do të kthehet në një institucion të vërtetë demokratik europian që vendos interesat e kombit përpara gjithçkaje.
26 Maj 2010