E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, fondi për dëmshpërblimin e të përndjekurve, në varësi të Drejtësisë

Fondi vjetor për dëmshpërblimin e të përndjekurve nuk do të jetë më si zë më vete në fondin buxhetor, por pjesë e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë. Këtë gjë parashikon ndryshimi i bërë në ligjin Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Për të siguruar veprimtarinë e tij, IIP-ja mbështetet në një fond buxhetor, i cili miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë, - thuhet në ndryshimet e bëra në nenin katër të ligjit bazë për këtë institut. Ndërkohë që ligji ekzistues parashikonte që për të siguruar veprimtarinë e tij, IIP mbështetet në një fond buxhetor, i cili me propozimin e Këshillit të Ministrave miratohet nga Kuvendi Popullor. Por me ndryshimet e bëra në paragrafin e katërt të këtij neni parashikohet që raportimi i IIP-së do të bëhet jo më në Këshillin e Ministrave, por tek ministri i Drejtësisë. Qeveria argumenton se këto ndryshime të cilat e kalojnë institutin në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, bëhen me synimin për ti shërbyer më mirë procesit të integrimit të të përndjekurve në shoqërinë shqiptare. Drafti i qeverisë, i ardhur tashmë në Kuvend, që në nenin 1 të tij parashikon që IIP-ja nuk do të jetë më si një organizëm pranë Këshillit të Ministrave, por do të jetë në varësi të ministrit të Drejtësisë. Ky institut ka për qëllim të marrë të gjitha masat dhe të ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me integrimin në jetën e shoqërisë shqiptare të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Një ndryshim bëhet dhe në nenin 3 të këtij ligji, sipas të cilit, struktura dhe organika e IIP-së miratohet me urdhër të Kryeministrit, por me propozim të ministrit të Drejtësisë, ndërsa rregullorja e funksionimit të institucionit miratohet nga kreu i Drejtësisë. Këshillit të Ministrave i hiqet edhe kompetenca e emërimit të kreut të IIP-së, duke ia kaluar këtë kompetencë ministrit të Drejtësisë, i cili merr vendim pas diskutimit me ish-të përndjekurit. Ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj ishin paralajmëruar pak kohë më parë edhe nga Kryeministri Sali Berisha në kuadër të mbështetjes së qeverisë ndaj kësaj shtrese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›