Komisioni i Venecias: Objekt i hetimit, e drejta e opozitës

Komisioni i Venecias, siç quhet organizmi për “Demokraci nëpërmjet ligjit” i Këshillit të Europës, bëri një interpretim për komisionet parlamentare në Shqipëri, konkretisht në lidhje me të drejtën e komisioneve parlamentare hetimore, ku i jepet e drejta opozitës për të përcaktuar objektin e hetimit, por edhe për të përpiluar një raport final për çështjen. Ky interpretim është bërë në qershor të vitit 2001 nga juristi gjerman, Georg Nolte dhe nga juristi italian, Sergio Bartole. Interpretimi i Komisionit të Venecias është bërë nga pala shqiptare për një sqarim në lidhje me projektligjin mbi komisionet hetimore parlamentare. Në këtë dokument i jepet e drejta e pakicës parlamentare apo një së katërtës së deputetëve që të nisin hetimin, ta zhvillojnë dhe ta caktojnë objektin e hetimit pa u penguar nga mazhoranca. Në dokumentin e përpiluar nga gjermani Georg Nolte, i cili ka sjellë si shembull një çështje të zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, e drejta e kualifikuar e pakicës në Kuvend për të ngritur një komision hetimor është konsideruar si një nga të drejtat më të rëndësishme të opozitës. Sipas Komisionit të Venecias, kjo e drejtë është efikase vetëm atëherë kur ajo nuk kufizohet nga vendimi nismëtar ku ky komision është ngritur. Përveç kësaj duhet të ruhet fakti se objekti “për hetim” të formulohet sipas kërkesës së opozitës së kualifikuar dhe duhet të garantohet e drejta e opozitës për të shprehur qëndrimin e saj (të ndarë) mbi çështjen në raportin final të komisionit parlamentar. Komisioni i Venecias thekson në dokumentin e tij të 7 qershorit 2001 se, nëse këto të drejta nuk janë garantuar, atëherë e drejta e opozitës është e zvogëluar dhe nuk është arritur qëllimi i ngritjes së komisionit parlamentar hetimor. Kjo pasi mazhoranca zakonisht në Parlament mbështet qeverinë dhe shpesh nuk ka interes që menaxhimi i keq i qeverisë të zbulohet nga komisioni. Ndaj, Gjykata Kushtetuese gjermane ka interpretuar një rast identik në Kushtetutën e Gjermanisë se si është e drejta e opozitës për të përcaktuar objektin e hetimit, të këqyrë provat dhe në fund të hartojë qëndrimin e saj specifik nëse nuk është dakord me mazhorancën. “Pa të tilla garanci, e drejta e opozitës për të ngritur një komision hetimor nuk do të kishte praktikisht asnjë sens”, thotë komisioni. Nëse ky draft do të konsiderohet i qëndrueshëm, sipas ekspertëve të komisionit të autorizuar që punuan nën Këshillin e Europës, interpretohet se “neni 77, pika 3 e Kushtetutës së Shqipërisë thekson se ‘Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”. Ndërkaq neni 44, pika 1 e Kushtetutës gjermane jep thuajse të njëjtin përcaktim ku thuhet se “Dhoma e Përfaqësuesve ka të drejtë dhe detyrë që me mocionin e një së katërtës së anëtarëve të tij, të ngrejë një komision hetimor, i cili do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zhvilluar seanca dëgjimore”. Ai do të duhet të vërtetojë të gjitha dyshimet që janë ngritur për një çështje të caktuar.
Ky dokument i Komisionit të Venecias është hartuar me kërkesën e Parlamentit, i cili përpara se të miratonte ligjin kishte kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias. Dokumenti i George Nolte ka si numër protokolli, CDL (2001) 47 dhe datën 7 qershor 2001, ndërsa raporti i italianit Sergio Bartole, mban të njëjtën datë dhe numrin e protokollit CDL (2001) 49.
#