E Shtunë, 31 Tetor 2026

McIlwham: Duhet ta zgjidhni vetë krizën

Ambasadorja britanike, intervistë në emisionin “E Diell” në “Top Channel”

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham, deklaroi dje në një intervistë për gazetarin Adi Krasta në emisionin “E Diell” në “Top Channel”, se për çështjen e krizës, shqiptarët duhet ta zgjidhin mes tyre, duke vendosur se duan t’ua lënë politikanëve apo duan një përfshirje të shoqërisë...

Zonja McIlwham, para se të vinit në Shqipëri jeni pritur në një audiencë nga Mbretëresha Elizabet. Sa qëndruat?

Për gjysmë ore. Të gjithë e kemi këtë nder, kur emërohemi si ambasadorë. Ishte moment shumë i veçantë, Madhëria e Saj, pavarësisht moshës, vazhdon të mbetet shumë energjike dhe e angazhuar, siç ka qenë gjithmonë dhe shumë pozitive.

Pra, kaluat të gjitha hapat e protokollit, siç i shohim nëpër filma?

Po, edhe unë bëra atë përkuljen e kortezisë, të cilën kisha kohë që nuk e bëja, ishte një sfidë e vogël, por doli shumë mirë. Mbretëresha është një zonjë shumë e natyrshme dhe e angazhuar dhe një zonjë që e duam të gjithë.

Kur ju dhashë dorën, më bëri përshtypje forca juaj. Më pëlqejnë gratë e forta, mamaja ime është grua e fortë. Përveç pamjes suaj që mund të krenoheni, a jeni ju një grua e vendosur, e fortë dhe ambasadore e motivuar?

Patjetër jam, nuk besoj se ka përgjigje tjetër për këtë. Jam shumë e motivuar, njoh shumë gra të tjera që takoj nëpër Shqipëri që janë shumë të forta dhe mbresëlënëse. Ndoshta duke qenë grua ambasadore, mund të kem më shumë akses dhe të mësoj më shumë për to. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për gratë e njohura në jetën publike, por edhe ato që janë pjesë aktive e shoqërisë civile. Disa prej tyre i takova javën e kaluar në aktivitetin tonë të “Javës së përfshirjes”, si p.sh. zonja Bardhylka Kospiri, nga Fondacioni për Aftësitë e Kufizuara në Shqipëri. Ato janë shumë mbresëlënëse, sepse jo vetëm kapërcejnë sfidat personale, por sidomos se luftojnë për të tjerët dhe për këtë janë shembull i madh për të gjithë ne.

çfarë sillni ju në atë që quhet diplomaci publike, dua të them jeni e bukur, jeni direkte dhe kjo më pëlqen shumë. Ju bëni një punë të mirë në këtë vend, por çfarë sillni ndryshe?

Nuk jam shumë e sigurt nëse është shumë ndryshe, ndoshta energji
dhe terma diplomatike, pasi ne si Mbretëri e Bashkuar kemi shumë mesazhe të forta dhe pozitive për të dhënë. Shumë njerëz kanë përshtypjen e një Britanie moderne ose më shumë tradicionale, por besoj se mund të bëjmë një diskutim dinamik rreth kësaj. Besoj se unë e realizoj këtë, duke përfshirë jo vetëm politikanët, por edhe të rinjtë, duke qenë se jam dhe një nga ambasadorët më të rinj.

Ne në Shqipëri kemi respekt të madh për Mbretëreshën. Ajo gjeneron energji pozitive dhe shumë gjëra të tjera. Por çfarë ka Britania sot që ju bën krenare, siç keni qenë historikisht?

Besoj se janë shumë aspekte nga Britania që më bëjnë shumë krenare, jo thjesht individët, por sidomos institucionet dhe vlerat, për shembull mediat tona.

Pra britanikët kanë ndryshuar...

Deri diku, edhe po edhe jo. Mendoj se ka gjëra që ne do t’i kemi gjithmonë fiksim, si për shembull të mbajmë radhë, apo që kemi një humor karakteristik therës. Këto gjëra nuk besoj se ndryshojnë, por kur shkon në disa qytete britanike, ka shumë diversitet, influencë nga vendet e tjera, p.sh më pëlqen të them se gatimi ynë kombëtar tani është kerri dhe jo për shembull bifteku apo pudingu i Yorkshir-it.

Tani ka jo më çaj, por kafe të gjatë..

Jo nuk është çështje thjesht te çaji i pasdites apo i autobusit të kuq me dy kate, por më shumë se kaq. Por janë edhe pozicionet tona si p.sh media jonë që është shumë aktive. BBC është shumë e njohur dhe ne jemi shumë krenarë për ta, sepse ata i sfidojnë politikanët dhe qeveritë, kërkojnë llogari, iu bëjnë pyetjet, pastaj është sensi ynë i lojës së ndershme (sensi i marrëveshjes së gentelmen-ëve. shën i red). Këto janë gjëra të rëndësishme dhe nuk duhet të ndryshojnë.

Ju jeni britanike, jeni skoceze. Ju duhet të jeni edhe ambasadore por edhe skoceze, sa ndjeheni britanike dhe sa ndjeheni përgjithmonë skoceze?

Për mua, të dyja shkojnë bashkë. Unë u rrita në Angli, por familja ime vjen nga Skocia. I dua shumë traditat skoceze: valëzimet, karakterin e fortë, vendosmërinë. Por mirë do të ishte që skocezët të kishin sukses në sport por.. Në këtë pikë më duhet të përkrah Anglinë, sepse ata luajnë më mirë. është bukur që ka shumë paralele me traditën shqiptare, në veri me malet, me fustanellat apo gajdet. Ka shumë lidhje interesante, në male ndjehem si në shtëpi.

A keni udhëtuar nëpër malet shqiptare?

Po, kur erdha këtu jetova një muaj në një familje shqiptare në Shkodër, duke mësuar gjuhën shqipe, ose duke u përpjekur.

Të ndalemi këtu. Pra kur shohim një grua apo burrë të zakonshëm që vjen nga Britania, për të jetuar në një familje shqiptare, a duhet të mendojmë se duhet të jenë ambasadorë?

Ka mundësi. Ishte një përvojë shumë e mirë, sepse atëherë nuk isha ambasadore, por një studente e huaj, por mësova shumë. Prej aty udhëtova dhe pse në atë kohë moti nuk më lejoi të vizitojë Thethin, u ktheva atje më vonë. Vjeshtën e kaluar bëmë një udhëtim fantastik në male, ishte shumë bukur, kishte rënë dëbora e parë dhe pse për fat të keq, nuk e arritëm, por familjet kishin filluar ta vizitonin. Malet janë shumë të bukur, ashtu si pjesë të tjera të Shqipërisë që janë të bukura dhe të veçanta. Kam qenë në bregdet në Gjirokastër, në Berat, kam parë ikonat e Onufrit që janë një mrekulli. Kam qenë në shumë vende, por është vetëm fillimi, kam shumë për të bërë dhe të kaloj më shumë kohë në këto vende.

Dy pyetje, çfarë mendimi keni ju për kutitë e votimit dhe për reformën në shërbimin sekret?

Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë personalisht për këtë çështje. Ky vend duhet të vendosë vetë se çfarë duhet të bëjë për të dyja, pra nëse do të jenë politikanët që do të flasin mes tyre apo edhe publiku i gjerë. Por ato janë çështje të rëndësishme dhe zgjidhjen duhet ta gjejnë vetë shqiptarët.

Po, një përgjigje diplomatike... Por si ju duket nga jashtë jeta politike shqiptare?

është shumë dinamike.

Pra ka intriga?

Jo, kudo ka intriga në politikë. Ka një thënie se një javë është shumë në politikë, se koha dhe ngjarjet lëvizin. Ndoshta në Shqipëri politika ka një kulturë të ndryshme nga Britania, por vjen me një histori dhe traditë të sajën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›