E Diel, 1 Nëntor 2026

Aliçkaj: Administrata shqiptare shtë më e pjekur se politika

Intervista/ Flet ambasadori shqiptar në Francë: Korrupsioni, ende problem

Ambasadori shqiptar në Francë deklaron se administrata shqiptare është më e pjekur se sa klasa politike. Ylljet Aliçkaj është diplomat dhe shkrimtar, aktualisht është ambasadori i Shqipërisë në Francë. Ai ka folur për agjencinë franceze “EurActiv”, duke dhënë një intervistë për gazetaren Clarisse Bargain...

Cilat kanë qenë sfidat kryesore për t’u ndërmarrë përpara anëtarësimit në BE dhe cili ka qenë progresi i bërë që kur është nisur ky proces një vit më parë, kur hyri në fuqi MSA-ja?

Pyetësori i anëtarësimit, që na është dorëzuar nga Komisioni Europian, do të duhet të kompletohet në prill. Ne shpresojmë se do ta marrim statusin e vendit kandidat. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbetet një problem në Shqipëri, por ka një dëshirë të madhe për ta luftuar këtë fenomen dhe rezultatet janë inkurajuese. Reforma në drejtësi është gjithashtu prioritet, pasi ka të bëjë me rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria e ka përballuar mirë krizën ekonomike me një rritje prej 3% në vitin 2009. Por ne kemi shpejtësi në bërjen e reformave ekonomike, infrastrukturave dhe në fushën e turizmit. Legjislacioni është i rregulluar, por nevojitet një zbatim më i mirë i tij.

A është sistemi politik i pjekur mjaftueshmërisht për të arritur këto reforma?

Kapaciteti ynë administrativ është më i pjekur se klasa politike. Kohët e fundit, Partia Socialiste në opozitë bojkotoi Parlamentin e krijuar nga zgjedhjet që u zhvilluan para 6 muajsh. Dialogu politik në Parlament ende nuk është funksional. Por, jeta politike në vend po maturohet në kohë. Të gjitha partitë janë në favor të kompromisit dhe dialogut tani. Politikanët nuk janë të karakterizuar nga përplasja. Filozofia e qeverisë së re të koalicionit të qendrës së djathtë është të arrijë një kompromis. Zgjedhjet e fundit erdhën në një moment kyç për objektivat strategjikë të integrimit në BE. Partitë kanë ndërmarrë një pozicion të përbashkët në lidhje me këtë synim. Shqipëria është një vend i vogël dhe nëse politika është e tillë, atëherë vendi mund të bëjë menjëherë hapat e drejtë.

Ndryshe nga fqinjët e saj, Shqipëria, dhjetorin e kaluar, është përjashtuar nga liberalizimi i vizave me BE-në, i cili ishte një vendim i diskutueshëm për vendin tuaj. Mendoni se politika e BE-së ndaj Ballkanit është e qëndrueshme?

Për qytetarët tanë, liberalizimi i vizave është një nga çështjet kryesore që shqetësojnë integrimin europian. Për një vend që ka qenë i izoluar si Shqipëria, e cila ka një histori migrimi, heqja e vizave është shumë e rëndësishme. Disa ditë më parë, mazhoranca propozoi një dokument ku e fton Shqipërinë të përfshihet sa më parë në këtë proces. Shqipëria i ka arritur të gjitha aspektet teknike të këtij procesi, ndaj tani vendimi është politik. Por ne nuk mund ta gjykojmë BE-në, mesazhi i tij për Ballkanin mbetet pozitiv. Nëse vendet e Ballkanit hyjnë në zonën “Schengen” përpara të tjerëve, ai nuk është një problem. Më i rëndësishëm, po flas nga aspekti historik, ky do të jetë një vit vendimtar.

Komisioni vetëm ka ripohuar situatën e vizave në Shqipëri. Ju keni një datë për liberalizimin?

Muajin e kaluar, komisioni nisi një mision të ri verifikimi për të gjitha kriteret që janë plotësuar. Bazuar në informacionin që kemi, përfundimet janë pozitive. Parlamenti Europian kërkon një zgjidhje të shpejtë. Ministrat e Brendshëm të BE-së më pas do të mblidhen për të marrë vendimin. Kufijtë, pasaportat biometrike etj., ne kemi futur teknologjitë e fundit dhe e meritojmë liberalizimin. Mendoj se nuk do të ketë më shtyrje, do të ndodhë përpara ose pas verës.

Europianët janë veçanërisht të shqetësuar nga fluksi i emigrantëve shqiptarë...

Ne kemi marrë masa për të përballuar shpërdorimin e heqjes së vizave. Hapi i parë që kemi marrë është krijimi i qendrave për emigrantët ilegalë sipas standardeve europiane. Përveç kësaj, normalizimi i procesit është shoqëruar me një fushatë sqarimi për kuptimin e liberalizimit të vizave për qytetarët. Nuk do të ketë asnjë keqkuptim. Ajo që është më e rëndësishme është se në Shqipëri dominon sekularizmi. Vetëm 2 ose 3% e popullsisë janë praktikantë. është një nga vendet e vetme në botë ku feja ka qenë e ndaluar me Kushtetutë gjatë komunizmit. Brezi im është rritur në një shoqëri pa referenca religjioze. Një nga vlerat tona që kërkojmë të çojmë në BE është pikërisht toleranca fetare.

Sipas këndvështrimit tuaj, si është perspektiva e Shqipërisë në BE. Jeni optimist?

Kryeministri grek, Papandreou, foli simbolikisht për 2015-n, duke përmendur 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Tani topi është në kopshtin tonë. Unë thjesht dua që ne të hyjmë në momentin kur kemi arritur të gjitha standardet europiane. Ne e dimë mirë që BE do të marrë një vendim objektiv. Data nuk është shumë e rëndësishme, ne vetëm duam zhvillimin dhe ta bëjmë më të mirë jetën e qytetarëve tanë. Ne nuk duam të jemi një barrë për europianët.

çfarë mund të sjellë Shqipëria në BE?

Tolerancën fetare, sekularizmin, diversitetin kulturor, turizmin, rininë e gjallë, punëtorë të përgatitur dhe të aftë...Shqipëria ka burime energjetike shumë të rëndësishme dhe vetëm 20% e tyre është në përdorim. Në Francë, roli i Shqipërisë për të promovuar një Ballkan të stabilizuar. Ne kemi relacione të mira me fqinjët tanë. Jam i bindur se integrimi europian është rruga më e mirë për të lëvizur nga tensionet fetare dhe etnike që ekzistojnë në Ballkan. Fatkeqësisht Shqipëria ka një problem imazhi, që është i dukshëm kudo në Europë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›