E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen amendamentet, PD mbyll kutitë pa kompromis

Drafti i paraqitur nga shumica rrëzon të gjitha pikat kyçe të propozuara nga socialistët

Mazhoranca rrëzon nismën e propozuar nga Partia Socialiste për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Me qëllim përmirësimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, për ta përqasur përmbajtjen e tij me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Partisë Demokratike paraqitën disa amendamente. Përmbajtja e tyre shkon përkundër propozimeve të Partisë Socialiste dhe paralajmëron se diskutimi i sotëm dhe seanca e së enjtes do të jenë diçka fiktive, pa shenja kompromisi. PD nuk pranon hapjen e kutive, ngushton afatin për hetimin parlamentar dhe nuk mbështet shumicën automatike hetimore për minorancën.

Amendimet e PD

Në nenin 1 të projektligjit bëhet ky amendament. Në pikën 1 të nenit 4 shtohen fjalitë e mëposhtme: Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Për të ilustruar këtë paraqitet vendimi nr.18, datë 14.05.2003, dispozitivi pika 3 e Gjykatës Kushtetuese. Komisionet hetimore, thuhet në propozim, nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje të gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor. Gjithashtu, demokratët propozojnë që neni 2 i projektligjit të ndryshohet. Pas nenit 4 shtohet neni 4/1 me këtë përmbajtje. Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj. Mazhoranca propozon heqjen e nenit 3 të projektligjit, ku flitet për shumicën hetimore të minorancës. Sakaq, propozohet që pas nenit 3/A të shtohet një nen me këtë përmbajtje: Në nenin 5, pika 1 pas fjalës “paraqet” shtohet ky togfjalësh “objektin e hetimit i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet...”. PD propozon heqjen e nenit 4 të projektligjit ashtu sikurse edhe nenit 5.

Propozimet e PS

Neni 1 i projektligjit të PS thotë se komisionet hetimore të Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar i paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore. Në nenin 2 thuhet se në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 1) 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit; 2) 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Në çdo rast, veprimtaria e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore do të konsiderohet e përfunduar në kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit përkatësisht të mandatit të Kuvendit apo të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore. Në nenin 3 thuhej se në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›