PD voton në parim draftin e opozitës
Mazhoranca dhe opozita kanë hedhur një hap i cili mund të jetë një mundësi për kompromis në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputetët e PD-së kanë miratuar në parim draftin e paraqitur nga opozita, ndërkohë që socialistët kanë zyrtarizuar propozimin e hedhur nga numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi, për hapjen vetëm të kutive të materialeve zgjedhore. Votimi ka qenë unanim dhe për të kanë ngritur dorën të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, çka do të thotë se çelet rruga për hapin e radhës që zhvillohet sot kur do të votohet nen për nen. Më pas i fundit dhe më i rëndësishmi është votimi në tërësi. Votimi i djeshëm ka ardhur pas dy orë diskutimesh në kahe të kundërta dhe pas një mbylljeje mjaft të ashpër të kreut të komisionit, Ilir Rusmali. Në fjalën e tij, ish-kryeministri, Pandeli Majko deklaroi se “nëse do kërkohej rinumërim për ndryshim mandatesh Kuvendi duhet të thoshte jo, por ne nuk kërkojmë rinumërim për të vënë në diskutime legalitetin e Kuvendit apo vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Ne kërkojmë hetim për të nxjerrë problemet, sepse nuk mund të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor nëse më parë nuk nxjerrim problemet e zgjedhjeve të kaluara”. Majko theksoi se miratimin e këtij drafti duhet ta konsiderojmë si një proces të besimit të ndërsjellë për zgjedhjet. Më pas kanë folur edhe Dashnor Sula e Aldo Bumçi që kanë kundërshtuar argumentet e PS-së për hetim të plotë, por kanë mbrojtur qëndrimin e kolegëve të tyre. Ndërkohë, diskutimin më kulminant e ka mbajtur deputeti socialist, Fatmir Xhafa, i cili ka bërë publike edhe qëndrimin ofertë të opozitës për konsensus. Sipas Xhafës, “Kontestimet tona për administrimin e procesit dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor janë bërë publike. Kontestime shumë konkrete janë bërë gjithashtu edhe në raportin e arbitrit – monitorues e vlerësues të zgjedhjeve OSBE– ODIHR-it. Duke dhënë një hapësirë të re për kompromis, Xhafa deklaroi se “Duke iu referuar saktësisht dispozitave të Kodit Zgjedhor rezulton se ka dy lloje kutish. Kutia e votimit me fletët e votimit dhe kutia me materialet e votimit. Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj se “hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore”, një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi, atëherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën, për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate, që të jetë shprehur për këto kuti. Jeni ju të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë? Sigurisht që jo. Nuk ju lejon urdhri politik”. Në emër të opozitës, Xhafa tha se “Jemi të gatshëm për të gjetur konsensus në interes të demokracisë, të fateve të vendit, por s’jemi asfare të gatshëm të bëjmë pazare me të nesërmen e zgjedhjeve dhe votën e shqiptarëve”. Në fund e ka marrë fjalën kreu i komisionit, Ilir Rusmali, i cili ka sulmuar ashpër liderin e opozitës, Edi Rama. Sipas Rusmalit, klima e besimit është prishur nga Rama, i cili ka qenë aktor i menaxhimit të zgjedhjeve, por hodhi baltë mbi komisionerët e vet. Kreu i Komisionit të Ligjeve deklaroi se Rama kërkon të bëhet edhe kryegjykatës edhe kryeprokuror edhe të marrë në dorë i vetëm menaxhimin e zgjedhjeve. Sipas tij, kreu i opozitës nuk ka dhënë asnjë ide sesi do të duhet të ndryshonte sistemi i menaxhimit të zgjedhjeve në vend. Në fund, Rusmali kërkoi votimin e draftit në parim, dhe më pas një nga një me pak hezitim janë ngritur të gjitha duart e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Sot do të zhvillohet diskutimi nen për nen e më pas votimi.
#