Meta: Regjistrimi i popullsisë, përgjigje për Jeremiçin
Shqipëria vendos të japë një përgjigje “plebishitare” ndaj pretendimit të Beogradit zyrtar për njohjen e minoritetit serb. I sapokthyer nga vizita e tij në Serbi, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është shprehur në një konferencë për shtyp, se në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga homologu i tij serb, Vuk Jeremiç, për problemin e minoritetit, regjistrimi i popullsisë është përgjigjja më korrekte. “Nuk është e drejta ime dhe e askujt që të përcaktojë identitetin kombëtar të çdo lloj pakice. Kjo do të bëhet përmes regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Ne jemi të hapur në këtë drejtim dhe nuk mendoj se ky standard që Shqipëria ka vendosur, që është detyrim i stadit në të cilin ndodhet vendi ynë, të përbëjë ndonjë problem apo ndonjë shqetësim për cilindo”, u shpreh zëvendëskryeministri shqiptar. I konceptuar mbi parimin e vetëdeklarimit, regjistrimi i popullsisë është ofruar nga qeveria shqiptare edhe si një mënyrë për të moderuar qëndrimin e fqinjëve lidhur me çështjen delikate të minoriteteve. Por nëse në raport me fqinjët ai përkufizohet si një hap i moderuar, në raport me faktorë të brendshëm të shoqërisë apo opinionit publik shqiptar ai rikonfirmon frikën e spekulimit politik që mund të nxisë një liberalizëm i këtillë në deklarimin e etnisë.
#