Ahmet & Leka Zogu. Historia me dy faqe Nga Skënder Minxhozi Kur kthen kokën pas Eshtrat e Ahmet Zogut do të prehen më në fund në tokën shqiptare. Ky është një lajm që te shumë shqiptarë provokon aprovim dhe një ndjenjë paqëtimi, te të tjerë, pasiv
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ahmet & Leka Zogu. Historia me dy faqe Nga Skënder MinxhoziKur kthen kokën pas
Eshtrat e Ahmet Zogut do të prehen më në fund në tokën shqiptare. Ky është një lajm që te shumë shqiptarë provokon aprovim dhe një ndjenjë paqëtimi, te të tjerë, pasivitet dhe mungesë opinioni e ndoshta te më të paktët vazhdon të zgjojë inatin e vjetër të monarkisë “që shiti interesat e vendit përballë Italisë, që fali Shën-Naumin” etj. Njoftimi i kryeministrit Berisha për nisjen e procedurave të kthimit të eshtrave të sovranit të vetëm shqiptar nga Franca vjen në një moment kur pasionet rreth emrit dhe veprës së Ahmet Zogut janë ftohur dhe nuk e kanë më ngarkesën emotive të viteve të para pas rënies së komunizmit. Edhe pesha dhe hija e familjes mbretërore është zbehur, e kjo ka rëndësi jo të vogël për ata që merren me punët e pushtetit. Tashmë është e qartë se Leka Zogu, i biri i Ahmet Zogut të Parë, nuk ka më pas vetes një projekt apo alternativë pushteti, por është veçse njëri ndër qindra-mijëra pensionistët e këtij vendi që po shtyn ditët e fundit në tokën amtare. Një rrethanë fort e volitshme kjo për zotin Berisha, i cili, me rënien e ëndrrës monarkiste, nuk sheh asnjë rrezik djathtas, aty ku deri dje kujtohej se do të lindte rivaliteti mes PD dhe të djathtës së paraluftës. Kësisoj, sot kryeministri mund të hedhë një hap që e di që në krye të herës së s’do ta rrezikojë politikisht. Përkundrazi, ai mund të aspirojë qetësisht dhe me nge që të marrë në dorë skeptrin e të vetmes figurë madhore të së djathtës. E shkuara nuk e frikëson më Berishën, ajo është tani veç një lodër në duart e njeriut që 16 vjet më parë sillej krejt ndryshe me të birin e atij që sot do ta presë me pompozitet në Rinas. Dy shkrime të nxjerra nga gazeta “Aleanca” e vitit 1993, tregojnë se si në atë kohë Leka Zogu vihej nën survejimin e SHIK, sapo vinte këmbën në tokën shqiptare, dhe se si ai izolohej në dhomat e hotel “Dajtit”, për t’u përzënë pas pak orësh qëndrimi në Shqipëri. Një tablo që vjen nga një kohë tjetër, por s’i ka ndryshuar personazhet. Një metaforë e kohës që kemi jetuar dhe jetojmë...
S. M.
Pse erdhi në Shqipëri Leka Zogu?
Skënder Minxhozi
Marrë nga “Aleanca”
Dt. 24 nëntor 1993
Të shumtë qenë ata që u habitën nga vizita e beftë që trashëgimtari i fronit mbretëror në mërgim, Leka Ahmet Zogu, bëri në vendin e tij të lindjes. Zbritja e avionit saudit me Lekën e Parë brenda, qe e papritura e fundit që përjetuan shqiptarët në këtë vend, ku surprizat e fitojnë shumë shpejt qytetarinë. Më shumë se sa vizitë, qëndrimi 12 orësh në Shqipëri i pretendentit për fronin mbretëror, qe një shfaqje e beftë e tij që çuditi shumëkënd. Por a u habitën të gjithë shqiptarët nga kjo vizitë e paralajmëruar? E thënë ndryshe, a kishte dijeni ndokush se i biri i sovranit të vetëm të Shqipërisë, që kishte kaluar 54 vjet minus një javë në ekzil, do të zbriste atë ditë nëntori në Rinas? Këto pyetje gjejnë logjikshëm hapësirën e tyre në një sfond ku komunikatat zyrtare shpesh errësojnë, në vend që të ndriçojnë. Ka rreth tre vjet që në Shqipëri, paralelisht me rënien e komunizmit dhe lindjen e alternativës demokratike, ka filluar të fryjë një erë monarkiste. E ndihmuar nga nevoja urgjente për zgjidhje të reja politike dhe e shtyrë nga himnizimi ndaj gjithçkaje që Hoxha e pati djegur me zjarr për 50 vjet, ideja ruajaliste u shfaq në tokën e mbështjellë me lavdinë e vjetër të Ahmet Zogut dhe karizmën mërgimtare të të birit, Lekës. Në ato fillime idealiste pati nga ata që e panë rilindjen e vendit tek njeriu i gjatë i Johanesburgut, fotografitë e të cilit u ngjitën pa hekurave të dyqaneve të shkatërruara në qytetet kryesore. Një parti ruajaliste u krijua, disa gazeta botuan fotografitë e tij, ndërsa videokasetat me thirrje patetike bënin xhiron e vendit në pak kohë.
Megjithatë ideja mbretërore s’mund të kishte sukses në Shqipëri. Të pamësuar me këtë formë regjimi, padyshim të influencuar nga propaganda që e njësoi kohën e Zogut me kënetat, skamjen dhe kolerën, shqiptarët e shohin gjithsesi plot dyshim mbretërinë e re të derës së Matit. Veç kësaj, klasa politike postkomuniste, me popullaritetin që fitoi, ia hoqi përfundimisht shanset për fitore monarkisë.
Situata nuk pësoi ndryshime thelbësore edhe me ardhjen plot zhurmë të një pjese të oborrit mbretëror disa muaj më parë. Të vendosur në dhomat e hotelit më luksoz të Tiranës, këta njerëz me shqipe të vjetër e me pasaporta të çuditshme, ngjallën më së shumti kureshtjen ekzotike të gazetave që nxituan t’i intervistojnë. Entuziazmi fillestar duket se u kompromentua rëndë nga konflikti që plasi në gjirin e monarkistëve, konflikt që u bë publik kur palët rivale zhvilluan secila kongresin e saj dhe pretenduan monopolin e devocionit për pasardhësin e Ahmet Zogut. Në tërë këtë çorbë tipike shqiptare, shteti republikan mbajti një qëndrim të pastër protokollar. Një opinion i tillë që i përgjithshëm pavarësisht tendencave sporadike monarkiste brenda Partisë Demokratike.
Por ardhja e Leka Zogut në Tiranë ndryshoi gjithçka. Ky moment vuri në dyshim imazhin republikan të shtetit dhe i dha shkas hipotezave të një flirti me familjen mbretërore në mërgim. Janë të shumta shenjat që flasin për një gjë të tillë. Së pari Leka i Parë u paraqit në aeroportin e Rinasit me veshje që kishin simbolet e mbretërisë dhe me një pasaportë ku shkruhej “Leka Ahmet Zogu, mbret i shqiptarëve”. Truplartë dhe i shoqëruar nga ministri i tij i oborrit, për rojet e doganës nuk mund të pranohet alibia e mosnjohjes së personit. Leka Zogu e kaloi traun që s’kishte mundur ta kalonte për 50 vjet, me një lehtësi të pazakontë. Kufitarët e Rinasit të vendosur aty për imponuar ligjin shqiptar dhe legjislacionin që ndër të tjera ndalon edhe kthimin e familjes mbretërore, heshtën. Duke menduar se më së shumti moskundërshtimi është një aprovim i heshtur, mund të supozohet fare lehtë se për Leka Zogun është dhënë urdhër të mbyllet njëri sy. Duke ditur gjithashtu se problemi i kthimit të familjes mbretërore është një moment juridiko-politik jashtëzakonisht delikat, nuk mund të pretendohet kurrsesi se hyrja e Zogut në Shqipëri qe iniciativa personale e nëpunësit të pasaportave. Sidoqoftë ky është vetëm momenti i parë. Leka Zogu erdhi brenda në Tiranë dhe zuri vend në hotel “Dajti”, padyshim hotelit më i survejuar prej SHIK dhe prej nga mund të shihet me sy të lirë Presidenca dhe kryeministria. Në këtë mënyrë, në një distancë jo më të madhe se një kilometër në vijë ajrore, Tirana strehonte njëkohësisht një president të zgjedhur legalisht dhe një mbret të futur në Shqipëri ilegalisht. Reagimi shtetëror vonoi dhe Leka Zogut iu komunikua të nesërmen ajo që ishte dashur t’i komunikohej që në momentin që vuri këmbën në tokën shqiptare. Tentativa e tij, nëse e parealizuar, nuk mund të quhej kësisoj as e dështuar.
Pse erdhi Leka Zogu në Shqipëri? Kush e kërkoi ardhjen e tij? Kronologjia e vizitës së shkurtër të Zogut të ri në Tiranë tregon qartë se persona të caktuar në majën e piramidës shtetërore e deshën provën me Leka Zogun. Tatim pulsi për opinionin publik, tym propagandistik apo presion i qarqeve monarkiste brenda shtetit, d.m.th., brenda PD? Ndofta të gjitha bashkë, ndofta asnjëra prej tyre, por një pakt i tentuar, por i parealizuar, i cili mund të jetë vendosur ditë më parë, kur Serreqi vizitoi Johanesburgun dhe që intuita gazetareske e kapi në kohë. Në vargun e hipotezave eventuale nuk mund të injorohet edhe përpjekja eventuale e Berishës për t’i dhënë një goditje përfundimtare monarkistëve, duke e joshur në fillim kreun e tyre dhe duke e përzënë si refugjat ordiner më pas. Ardhja e Leka Zogut tregoi se brenda shtetit të PD gjërat s’e kanë fituar ende gjendjen e tyre të ngurtë. Një masë viskoze rrymash, tendencash, interesash dhe fraksionesh e përplas themelin ligjor të shtetit herë nga prirja presidenciale, herë nga ajo republikane e parlamentare dhe herë në forma të tjera, ku mesa duket ajo që arrin të artikulohet më së shumti është tendenca monarkiste. Mësohet se një eksponent i lartë i PD i ka thënë një anëtari të qeverisë, të njohur për tendencat monarkiste: “Nëse ju doni të përmbysni pushtetin e tanishëm, ne s’do t’ju lejojmë”.
Siç ka ndodhur brez pas brezi me politikën shqiptare, ka shumë të ngjarë që shfaqja e Zogut, në mënyrë klandestine që u servir dhe në reagimin tejet kontradiktor që shkaktoi, të jetë fryt i një presioni ekstra-shqiptar. Në të gjitha kurrikulumet e jetës së tij të shpërndara këto dy vjet në Shqipëri, është thënë se ai ka miq të shumtë në botën islamike, madje këto lidhje janë dhënë edhe si garancia që ofronte trashëgimtari i fronit nga Mati, për rimëkëmbjen e vendit, ditën që do të merrte pushtetin. Një presion eventual i qarqeve arabo-islamike mbi qeverinë shqiptare, falë pozitave të forta që ato kanë siguruar aktualisht në vendin tonë, do të ishte gjithsesi një variant mëse i mundshëm. Nga ana tjetër, monarkia, me platformën e saj unitariste të Shqipërisë së Madhe, e ka joshur prej kohësh diasporën shqiptare në mërgim dhe bashkatdhetarët tanë në Kosovë. E parë në këtë këndvështrim, ardhja e Leka Zogut për herë të parë pas 54 vjetësh, nuk është e pastudiuar, e aq më pak rastësore. Për sa kohë që prononcimi zyrtar do të mungojë dhe informacionet në Shqipëri do të do të vazhdojnë të vijnë nga radiot e huaja, shkaku i vizitës së tij do të jetë i paqartë dhe hipotetik. Ndërkohë ai vetë është padyshim më i humburi në këtë histori prej shkelësish kufiri. Ajo që duhej të ishte kthimi i shumëpritur i sovranit pas gjysmë shekulli, do të mbahet mend si përzënia e qytetarit Leka Ahmet Zogu pa dokumentet e duhura. Trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar përfundoi kështu në kronikat televizive të rendit.
Leka Zogu - 12 orë pas 54 vjetësh
Erdhi, pa, e përzunë
Skënder Minxhozi
Marrë nga “Aleanca”,
Dt. 21 nëntor 1993
Pasaporta e kuqe me mbishkrimin “Mbretëria Shqiptare”, mosha 54 vjeç, me trup të lartë. Rojet doganore të Rinasit lejuan të futet në territorin e Shqipërisë Leka Ahmet Zogun, trashëgimtarin e vetëm të fronit mbretëror shqiptar, i cili zbriti në Shqipëri me një avion charter të nisur nga Jordania pasditen e së premtes në aeroportin e Rinasit. Ai e kishte lënë vendin e tij për herë të fundit më 1939 kur ishte vetëm disa ditësh dhe kur i ati Ahmet Zogu u detyrua të largohej përmes Greqisë. Leka Zogu u paraqit i veshur me uniformën ushtarake mbretërore në pikën kufitare shqiptare. Ai u vendos në selinë e improvizuar të oborrit në hotel “Dajti” dhe tentoi po atë natë të organizonte një takim me ruajalistët shqiptarë. I arritur të nesërmen nga autoritetet policore që i kërkuan pajisje me dokumente përkundrejt qëndrimit në Shqipëri, Leka i Parë e refuzoi ofertën. “Unë nuk i kam ofiqet nga kombësia që kam”, - deklaroi ai. Refuzimi i tij solli urdhrin për të lënë menjëherë Shqipërinë. E njëjta gjë ju komunikua edhe ministrit të oborrit mbretëror, z. Abedin Mulosmani, i cili qëndronte në Tiranë prej disa muajsh.
Ardhja e Leka Zogut në Shqipëri ndodhi në mënyrën më të papritur...Kthimin e familjes mbretërore në Shqipëri e pengon një vendim i marrë nga Kongresi i Përmetit në vitin 1944, që është transplantuar më të gjitha kushtetutat e pasluftës. Lidhur me këtë z. Guri Durollari, kryetar i partisë Lëvizja e Legalitetit deklaroi se me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe të sistemit komunist shfuqizohen edhe aktet ligjore të asaj kohe. Statusi i “personit të padëshirueshëm” ndaj familjes mbretërore u lëkund para disa muajsh kur eksponentë të rëndësishëm të kurorës mundën të futen në Shqipëri dhe të zhvillojnë legalisht veprimtari në favor të kthimit të mbretit.
Partizanët e monarkisë pretendojnë se Leka Zogu është i vetmi trashëgimtar froni i vendeve të Lindjes që e gëzon ende ligjërisht të drejtën për t’u quajtur mbret. Kjo, pasi ai akoma nuk ka abdikuar. Republikanët nga ana e tyre vënë në dukje se Ahmet Zogut i mungon prejardhja fisnore për të qenë mbret. Ai nuk ka gjak blu sipas tyre.
I akuzuar prej regjimit komunist për trafik armësh dhe drogë, i shtrënguar disa herë të ndërrojë vendbanim, Leka Zogu jeton aktualisht në Afrikën e Jugut. Bashkëpunëtorët e tij të afërm thonë se mbreti i tyre është një njeri i shkolluar dhe se i biri i tij zotëron disa gjuhë të huaja. Rishfaqja e tij e beftë rihap një debat të vjetër dhe të ri: Kushtetutshmëria ose jo e familjes mbretërore.
Leka Zogu: “Nuk e di perse me përzunë”
Gazeta “Korrieri”, 2004
Cila është e vërteta e ardhjes dhe ikjes tuaj të shpejtë në vitin 1994. Si ndodhi?
“As unë nuk e di. Ka shumë teorina, e di se ishte pregatitur një takim këtu. Ai takim nuk u materjalizua se ka pasur ndërhyrje nga të huaj si edhe nga vendali, por arsyetimi i plotë nuk është akoma i mjaftueshëm, me mund me thanë se kush dhe qysh ka qenë qëllimi i ndryshimit të mejtimeve të qeverisë së asaj kohe. Por, duhet me kuptue se me ardhë në Shqipni me një aeroplan privat, duhet me e lajmëru qeverinë katër-pesë ditë përpara, më pas leje me ardhë. Ishte e domosdoshme dhe qeveria ishte në dijeni. Atëherë, pse u bë ai ndryshim atë natë? Nuk e di. Kam disa mejtime, por ato janë akoma mejtime”.