Thirrje gjyqtarëve!
Mag. Klodian Rado*
Integrimi evropian i Shqipërisë është bërë së fundi kryefjalë e shpeshtë e diskutimeve, në lloj-lloj tavolinash private apo publike, të brendshme por dhe ndërkombëtare, kur i referohen këtij vendi. Në fakt, pavarësisht nivelit të ideve që rrihen lidhur me integrimin, një gjë është e sigurt. Integrimi evropian i Shqipërisë duhet të bëhet orientimi i të gjitha institucioneve publike shqiptare. Është e qartë se peshën më të madhe në këtë proces do të duhet ta mbajnë institucionet që përfaqësojnë pushtetet kryesore, konkretisht legjislativin, ekzekutivin dhe pushtetin gjyqësor. Dihet roli i rëndësishëm i pushtetit ligjvënës në miratimin e çdo ligji që na përafron gjithmonë e më tepër me acquis comunitaire (të drejtën komunitare), apo pushtetit ekzekutiv, duke implementuar në terren dhe realisht të gjitha standardet komunitare të kërkuara.
Një pyetje që lind natyrshëm është: Po pushteti gjyqësor, a mund dhe a duhet të luajë ndonjë rol në këtë proces mjaft të rëndësishëm dhe delikat. Shkurt, a ka ndonjë gjë që duhet të bëjnë gjyqtarët për të kontribuar për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë?
Në pamje të parë, duket sikur roli dhe pozitat e gjyqtarëve janë të tilla që ata s’mund ose mund të luajnë shumë pak rol në këtë proces. Ndoshta për shkak të pozicionit të tyre, në zgjidhjen e çështjeve (case law) të përditshme që i vihen mbi tavolinë, duke zbatuar ligjet në fuqi, mendohet se gjyqtarët mund të bëjnë pak ose aspak për integrimin e Shqipërisë. Në fakt, ky është një konkluzion ekzistent, madje ai më popullori në opinionin publik. Ndoshta akoma më keq, ky opinion mund të ketë pushtuar edhe mendimin e gjyqtarëve shqiptarë. Dhëntë Zoti, kjo e fundit nuk është kështu, sepse procesi i integrimit do të ishte vërtet mjaft më i vështirë.
Në fakt, e vërteta është një! Gjyqtarët si mbajtës të pushtetit gjyqësor jo vetëm që mund të luajnë rol në integrimin evropian të Shqipërisë, por ata mund të bëjnë shumë më shumë se kaq. Ata mund dhe duhet të luajnë një rol avangardë në këtë drejtim. Po si mund ta bëjnë këtë gjyqtarët? Si mund ta realizojnë ata këtë, kur detyra e tyre është thjesht të zgjidhin çështjen që kanë në duar duke interpretuar ligjin. Pikërisht këtu qëndron sekreti! Detyra kryesore e gjyqtarëve është interpretimi i ligjeve apo i së drejtës në mënyrë përfundimtare, dhe mandej, aplikimi i këtij interpretimi në çështjen që ata kanë mbi tavolinë. Gjyqtarët kanë vërtet shumë pushtet në këtë drejtim! Sidomos nëse do të sjellim ndërmend piramidën e akteve normative në Shqipëri, ku poshtë Kushtetutës gjenden direkt aktet ndërkombëtare, ku një nga më kryesorët aktualisht është MSA-ja. Vetëm pas akteve ndërkombëtare, vetëm atëherë renditen ligjet e brendshme! Këtej buron një nga pushtet më të rëndësishme të gjyqtarëve: Ashtu si gjyqtarët kushtetuese kanë kompetencën për të kontrolluar kushtetutshmërinë e ligjeve, ashtu gjyqtarët e zakonshëm kanë të drejtën për të kontrolluar përputhjen e akteve të brendshme më aktet ndërkombëtare, duke aplikuar këto të fundit me përparësi.
Në fazën integruese që Shqipëria është, e thënë më thjesht: Më e rëndësishme për gjyqtarin shqiptar është ajo që thuhet në nenet e MSA-së, se sa ajo që thuhet në nenet e akteve ligjore apo nënligjore të vendit. Madje, nëse ndërmjet akteve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, duke përfshirë edhe MSA-në, do të kishte mospërputhje, gjyqtari shqiptar do të duhej të aplikonte me përparësi pikërisht aktet ndërkombëtare, duke lënë mënjanë ligjet e brendshme. Dhe kjo zgjidhje nuk është thjesht mendimi im si një nga rreth 300 gjyqtarët shqiptarë. Përkundrazi, është një zgjidhje detyruese që populli shqiptar e ka vendosur qartë si drita e diellit në Kushtetutë, në të cilën thuhet prerazi se: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”(Neni 122/2).
Shkurt, më të rëndësishme për gjyqtarët shqiptarë janë aktet ndërkombëtare se sa aktet qe miratohen në Kuvendin e Shqipërisë, nëse këto të fundit do të kishin mospërputhje me aktet ndërkombëtare. Dhe meqenëse po flasim për integrimin evropian, MSA-ja si instrumenti më i rëndësishëm në këtë fazë që gjendet Shqipëria, lypset që të jetë totalisht në vëmendjen e gjyqtarëve shqiptarë. Vetëm këta të fundit mund ti “japin jetë” këtij akti thelbësor duke e nxjerrë nga sirtarët dhe duke e bërë “akt të gjallë” për shqiptarët dhe integrimin e Shqipërisë. MSA-ja nëse nuk do të aplikohet nga gjyqtarët shqiptarë në zgjidhjen e çështjeve konkrete, do të ishte një “grumbull letrash të mbyllura në sirtar” pa fuqi detyruese. Nëse gjyqtarët shqiptarë nuk e kuptojnë këtë rol, dhe mandej ta luajnë atë, MSA-ja do të jetë e zbehtë dhe si rrjedhim “akt jo i gjallë”.
Po a varet “qenia gjallë” e një akti, në këtë rast MSA-së nga gjyqtarët? Pa as më të voglin dyshim që PO! Kjo sepse nëse qytetarët shqiptarë nuk e ndiejnë rregullimin e neneve të saj në jetën e tyre të përditshme në fusha të tilla si: dogana, mos diskriminimi fiskal, konkurrenca e lirë, etj., as që do e marrin ndonjëherë vesh që ky akt ekziston. Dhe këtë akt mund ta bëjnë të gjallë vetëm gjyqtarët. Madje këtë ata mund ta bëjnë edhe duke i treguar pushteteve të tjera që, jo vetëm veprimet por edhe aktet që dy pushtetet e tjera nxjerrin duhet të përputhen me standardet ndërkombëtare dhe MSA-në. Sepse përndryshe, edhe nëse pushteti ligjvënës apo ai ekzekutiv do të miratonte akte normative/individuale që nuk përputhen me MSA-në, ato akte të tyre do të mbeteshin thjesht “copa letrash të pazbatuara”. Në fund, në zgjidhjen e konflikteve, gjyqtarët as që do të merrnin mundimin t’i referoheshin akteve të brendshme, sepse populli në Kushtetutë i ka obliguar ata që të aplikojnë me përparësi marrëveshjet ndërkombëtare, dhe në rastin konkret MSA-në.
Akoma më i rëndësishëm do të jetë roli i gjyqtarëve shqiptarë, në fazën kur Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së. Edhe për këtë situatë populli shqiptar ka urdhëruar në Kushtetutë që: “Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare (në këtë rast BE) kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit(...)”(Neni 122/3). Shkurt, për gjyqtarët dhe si rrjedhim për qytetarët shqiptarë është më e rëndësishme se çfarë do të miratohet në Bruksel se sa në Tiranë!
*Gjyqtar, Pedagog i së Drejtës Kushtetuese.