“Në PS mbizotëron mentaliteti shtypës dhe frika nga liria”

Arben Malaj - Edi Ramës: Gënjen kur thua se ka demokraci
Deklarata e Ramës dy ditë më parë se në PS mbizotëron liria dhe parimet themelore të demokracisë, ka sjellë reagimin e anëtarit të kryesisë dhe deputetit të Partisë Socialiste, Arben Malaj. Ai u shpreh dje se PS ndodhet në kllapi institucionale, teksa janë paralizuar forumet e saj vendimmarrëse, çka sipas deputetit socialist rrezikon të sjellë një tjetër kosto elektorale për Partinë Socialiste.
“Frika nga liria, një e drejtë universale e shoqërive demokratike, është frika nga mossukseset e përsëritura”, thotë Malaj.
Ai sjell në vëmendje incidentet në takimin e fundit me banorë të Kombinatit, në vijim të bashkëbisedimit “Mbi Modernizimin e Partive Politike”, ku një grup të rinjsh tentuan të ndërpresin takimin e deputetit socialist. Malaj thotë se pikërisht këtu qëndron mentaliteti i frikës dhe uzurpimit të transparencës, ndërsa sjell në vëmendje të tjera vendimmarrje të lidershipit socialist pa transparencë dhe në fshehtësi të plotë. “Përpjekjet e gjithanshme për kufizim të lirisë apo prishja e takimeve të bashkëbisedimit të lirë me janë dëshmi publike e mentaliteteve të frikshme e të frikura. Ndryshimi i Kushtetutës pa transparencë larg debatit publik nuk është element i lirisë, por i frikës nga oponenca e lirë, mendimi ndryshe dhe ekspertiza profesionale. Sistemi elektoral me lista të mbyllura nuk rriti aspak lirinë e votuesve, por rriti abuzimin e kryetarëve nëpërmjet listave sipas ‘logjikës së faktit të kryer’. Mosfunksionimi institucional, paraliza totale e forumeve partiake nuk zgjeron liritë e anëtarëve të tyre, por shton risqet për dështime të përsëritura të lidershipit në dëm të interesave themelore të çdo force politike.
Kriza e tej zgjatur politike nuk ka ardhur nga liria e tepërt por nga tepria me bojkotin, grindjet individuale dhe keqpërdorimi i besnikërisë së deputeteve ndaj kryetarëve. Ne dështuam të integrohemi në Europën e bashkuar të lirive themelore pa kufij, jo sepse kemi liri me tepricë, por sepse lidershipi politik në vend ka vullnet negativ për të ushqyer grindje të përsëritura”, thotë Malaj në reagimin e tij.
Ai thekson gjithashtu se “në takimet tona publike dhe shqetësimet tona të ngritura dhe në PS kanë pasur vetëm një qëllim: rritjen e ndjeshmërisë pozitive të opinionit publik për forcimin e demokracisë pjesëmarrëse për daljen nga kriza dhe për modernizmin e politikës shqiptare”.
“E keqja e një shoqërie nuk qëndron tek njerëzit e këqij, por tek heshtja e njerëzve të mirë, kjo aksiomë filozofike ka shumë vlerë aktuale sidomos për të ardhmen europiane të shqiptarëve”, konkludon reagimin e tij, deputeti Arben Malaj, në përgjigje të deklaratës së Edi Ramës.
Të shtunën e kaluar, gjatë kohës kur anëtarësia socialiste “votonte” për delegatët e Kongresit, kryesocialisti u shpreh se në PS mbizotëron demokracia dhe se socialistët mund të zgjedhin dhe zgjidhen lirisht. Por, zgjedhjet për delegimin e strukturave dhe zgjedhjen e delegatëve të kongresit, nuk ishin gjë tjetër veçse farsa e radhës në PS, pasi delegatët ishin zgjedhur nga dora e Edi Ramës, para se të mbërrite e shtuna e 22 tetorit. Ky proces i manipuluar, sigurisht që doli në ditën e vërtetësisë dhe socialistët e bojkotuan atë, duke e injoruar me pjesëmarrjen që s’i kalonte kufijtë e 10-15 për qind.