Gross: Turp që vendi është në dorë të një grupi të vogël
Klasa politike shqiptare vijon të mbajë të zhgënjyer politikanët europianë. Pavarësisht notave pozitive dhe shpresëdhënëse që raportuesit e KiE-s raportonin për Shqipërinë, deputeti zviceran që përfaqëson spektrin e majtë në Asamblenë Parlamentare të KiE-s, Andreas Gross, shprehet skeptik lidhur me të ardhmen e demokracisë shqiptare, ndërsa nuk ngurron ta konsiderojë si turp faktin që interesat e Shqipërisë janë të përqendruara në pak duar. “Unë shpresoj që raportuesi të ketë të drejtë kur thotë se Shqipëria është drejt një rruge premtuese. Por, unë nuk jam dhe aq i sigurt për këtë. Unë ende mendoj se vendi është në duart e një grupi të vogël njerëzish. Ky është një turp!”, - shprehet socialisti Andreas Gross, kryetar i grupit socialist në Asamblenë Parlamentare të KiE (APKE) dhe kandidat për president i APKE. Duke theksuar se partitë shqiptare në shumicën e tyre drejtohen në mënyrë autoritare, deputeti zviceran vë theksin se ajo çka u ka mbetur atyre është të vetëdemokratizohen për të shpëtuar interesat e elektoratit dhe të qytetarëve nga mungesa e vullnetit të udhëheqësve të tyre. “Shumë prej partive udhëhiqen në mënyrë autoritare. Ne duhet të theksojmë se optimizmi mund të justifikohet vetëm në rast se partitë arrijnë të vetëdemokratizohen, në mënyrë që njerëzit të mos bëhen viktima të paaftësisë së dy apo tre burrave të vjetër, për të rënë dakord. Ata nuk janë edhe aq të vjetër, por mund të cilësohesh si i vjetër edhe nëse biologjikisht je i ri. Ky do të ishte një kontribut i rëndësishëm. Një vit më parë ne u përpoqëm të nxisnim demokratizimin e partive, në mënyrë që ata ta kuptonin njëri-tjetrin më mirë, edhe nëse ata janë të ndryshëm”, - shprehet Gross.