E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore për projektligjin Për kornizën shqiptare të kualifikimeve

  Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik organizoi më datë 10 nëntor një seancë dëgjimore me aktorë të interesit për diskutimin e projektligjit Për kornizën shqiptare të kualifikimeve. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, Rektori i Akademisë së Arteve, z. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, Rektori i Universitetit Kristal, Mariglen Spiro dhe koordinatori i Grupit të Bolonjës për Shqipërinë, Aleksandër Xhuvani.   Mbledhja u zhvillua në formën e diskutimit mes përfaqësuesve të aktorëve të interesit të ftuar, përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave dhe të deputetëve të Komisionit.  Nga ana e tyre, përfaqësuesit e aktorëve të interesit bënë pyetje për formulimet e projektligjit (të Aneksit përkatës) dhe dhanë mendimin për saktësimin e përkufizimeve. Gjithashtu, u diskutua lidhur me harmonizimin apo unifikimin e termave të këtij projekligji me ato të legjislacionit ekzistues për arsimin e lartë, për të shmangur konfuzionet që kanë lindur apo mund të lindin në praktikë nga zbatimi i të dy këtyre ligjeve.   Nga ana e drejtuesit të mbledhjes së Komisionit dhe të relatores së projektligjit u kërkua që propozimet dhe mendimet konkrete nga aktorët e interesit të vijnë të fomuluara me shkrim në drejtim të Komisionit.   Në përfundim të mbledhjes, u ra dakord që përfaqësuesit e aktorëve të interesit të sjellin mendimet dhe propozimet e tyre me shkrim, në adresë të Komisionit, në mënyrë që relatorja e projektligjit, Adriana Gjonaj, ti konsultojë ato me Ministrinë, para se  të bëhen formulimet përkatëse, të cilat do ti paraqesë në raportin paraprak të Komisionit. 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›