E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton projektligjin Për kornizën shqiptare të kualifikimeve dhe miraton kandidaturat për 2 anëtarë të KKRT-së

  Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 4 nëntor filloi dikskutimin në parim të projektligjit Për kornizën shqiptare të kualifikimeve, propozim i Këshillit të Ministrave, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Zëvendësministrit, Halit Shamata dhe z. Fatmir Sejdiu, si dhe përfaqësueses  së Ministrisë së Integrimit, Elda Sotiri. 
Qëllimi i hartimit të këtij projektligji është rritja e standardeve dhe e cilësisë së arsimit dhe harmonizimi me direktivat e BE-së.
Ky projektligj ngre strukturën, jep fushën e zbatimit, objektivat dhe funksionet e KSHK-së. Ai ndihmon në rritjen e njohjes ndërkombëtare të kualifikimeve shqiptare; përmirëson cilësinë e përgjithshme të arsimit dhe formimit, dhe krijon sistemin e të mësuarit gjatë gjithë jetës në Shqipëri.
KSHK-ja do të organizojë kualifikimet shqiptare, të cilat do të jenë objekt kontrolli të cilësisë, para se të regjistrohen në të, gjë që do të mundësojë lidhjen me kërkesat e tregut të punës në vend dhe qenien në një linjë me standardet ndërkombëtare.
Projektligji parashikon ngritjen e një Këshilli të KSHK-së, që do të jetë përgjegjës për miratimin e politikave dhe të rregulloreve për KSHK-në, i cili do të mbështetet nga një Njësi; së bashku do të jenë përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm dhe sigurimin e cilësisë së Kornizës.
Në vazhdim të diskutimeve për projektligjin Për kornizën shqiptare të kualifikimeve, Komisioni vendosi të organizojë 2 seanca dëgjimore me aktorë të interesit në datat 10 dhe 11 nëntor 2009.   Më pas, Komisioni vazhdoi mbledhjen me njohjen dhe miratimin e 4 kandidaturave për 2 vendet vakante në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizioneve, pas dorëheqjes së Kryetares, Mesila Doda, dhe anëtarit të saj Artan Zeneli.
Për zëvendësimin e znj. Mesila Doda, nga grupi parlamentar i PD-së propozohen këto kandidatura:
- Suela Musta,
- Elida Gaba.
Për zëvendësimin e z. Astrit Zeneli propozohen këto kandidatura:
-Endira Bushati,
- Margarita Verria.   Pas njohjes me dokumentet përfaqësuese të kandidaturave të sipërcituara, Komisioni u shpreh dakord për kalimin e tyre për votim në seancë  plenare, në bazë të ligjit nr. 8410, datë 30.9.1998 Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›