E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë, në 20 vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit, promovon librin "Ku je" të Flutura Açkës dhe ekspozitës me të njëjtin titull të piktorit Gjovalin Paci.

  Kuvendi i Shqipërisë, në një atmsoferë celebruese u kthye sot në një auditor të veçantë për artin dhe kulturën, me rastin e promovimit të romanit Ku je" të shkrimtares Flutura Açka dhe ekspozitës së piktorit Gjovalin Paci, me të njëjtin titull.
Nën përkujdesjen dhe vëmendjen e veçantë të Kryetares së Kuvendit, aktiviteti kishte të ftuar përfaqësues të elitës shqiptare, shkrimtarë, artistë të zhanreve të ndryshme, botues, deputetë, dhe ambasadorë.
Romani "Ku je", i stilit postmodernist me personazhë tragjikë, sjell në një stil të veçantë narrativ, botën e individit, dhunën fatale të diktaturës në jetën e shqiptarëve, marëdhëniet e vështira me subkoshiencën dhe në raport me shoqërinë, në kohën e diktaturës së egër të komunizmit. Në roman shkrimtarja e mirënjohur Flutura Açka i thurr himn mbijtesës së vlerave, ndjenjave, kujtesës, të cilat diktatura nuk arriti ti çrrënjosë.
Kryetarja e Kuvendit , si një admiruese veçantë e veprave letrare të këtij lloji, vlerësoi me emocion promovimin e librit të Flutura Açkës,  duke e cilësuar si një aktivitet të rëndësishëm për jetën kulturore shqiptare, në përkujtimin botëror të rrëzimit të murit të Berlinit.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se libri i shkrimtares Flutura Açka, sjell tek shqiptarët në mënyrën më njerëzore, atë që se ke arritur ende historia, përshkrimin e jetës të secilit në kohën e diktaturës .
"Autorja rrëfen e rrëfen, e ndjeshme deri në dhimbje, për viktimat e pafaj e të pafat, ndërton monologë për secilin si për të zbuluar botën e brendshme të tyre, ku ata ruanin vlerat shpëtimtare, ndaj të keqes së madhe.
Shumë e shumë prej tyre nuk i shpëtuan dot të keqes së madhe që i cfiliti sa ishin gjallë, e i treti pa nam e nishan kur vdiqën. Ku je?, është thirrja e mallit që djeg e një nëne, e një fëmije, e një bashkëshorteje, e një të dashuri a të dashure për njeriun e zemrës në emër të dashurisë, a jetës së munguar."
Botuesja e librit  Irena Toçi e cilësoi librin e zonjës Açka si një roman epope, në meritë të një shkrimtareje të vërtetë.
Liria si element ekzistencial i qënies është ajo çka Flutura I ka dhënë më së shumti vetes në këtë jetë, është ajo çka vlerëson më shumë; liria I ka dhënë mundësinë Fluturës të jetë kaq kreative si individualitet- u shpreh botuesja Irena Toçi.   Një parathënie  në një këndvështrim të veçantë i bëri romanit Ku je, kritiku i mirënjohur Aliu Aliu, i cili tha se Flutura Açka konsiderohet një shkrimtare e sukseshme në tërë hapësirat shqiptare.
Atmosfera solemne e krijuar sot këtu në Kuvendin e Shqipërisë, nën kujdesin e Kryetares Topalli, është një shenjë e mirë e kthimit të vëmendjes nga arti, libri e kultura.- tha kritiku Aliu Aliu
Shkrimtarja  Flutura Açka me emocion shprehu mirënjohje dhe falenderim për Kryetaren e  Kuvendit për vëmendjen dhe mbështetjen ndaj kreativitetit letrar dhe veprave artistike që evokojnë të kaluarën e dhimbshme të shoqërisë sonë. 
Me emocione,  shkrimtarja Açka tha se në mbrëmjen e sotme solemne në Kuvend ndodhën rastësi të mrekullueshme.
Sipas shkrimtares, piktori Gjovalin Paci me ekspozitën e tij i dha zë personazhit tragjik të poetit në roman, personazh i cënuar në lirinë e tij, por që me piktura mund të shprehej me mijëra fjalë.
"Eshtë një mrekulli -tha autorja që një libër, provë e historisë, promovohet pikërisht në godinën, e cila ishte në kohën e komunizmit, zemreku i diktaturës".
Zonja Açka u shpreh se libri është dhe një himn përjetësie  kushtuar shkrimtares Drita Çomo, e cila dhe pse u nda tragjikisht nga jeta shumë e re për shkak të persekutimit komunist, në kohërat e sotme,  sjell dritë të fortë nga tuneli i diktaturës.
Piktori Gjovalin Paci tha se në romanin e zonjës Açka ka gjetur vetveten si njeri dhe artist.   Në mbyllje të aktivitetit të ftuarit e mbrëmjes ndoqën me interes ekspozitën me piktura të teknikave të ndryshme në telajo,  të Gjovalin Paci t, me titull Ku je.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›