E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret organizatorët dhe anëtarët e jurisë ndërkombëtare të Festivalit të vokalit operistik Marie Kraja.

  Pas promovimit të librit më të ri të Flutura Açkës dhe ekspozitës së piktorit Gjovalin Paci, dyert e Kuvendit u hapën sot për organizatorët dhe anëtarët e jurisë ndërkombëtare të Festivalit të vokalit operistik Marie Kraja.   Emrat e mirënjohur të operistikës botërore, organizatorja Zana Çela dhe  fituesja e Festivalit, sopranoja e re Evis Mula,  ishin sot miqtë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli e cila i priti ata në zyrën e saj për ti bërë përgëzimet më të mira.   Festivali ndërkombëtar që mban emrin e një prej ikonave operistike, Marie Kraja ka mbërritur në edicionin e tij të dhjetë ku konkuruan 20 artistë, ndër ta gjashtë nga Shqipëria, dy nga Kosova dhe 12 nga shtete të ndryshme të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Artistët konkurues të këtij festivali, imazh i traditës sonë të pasur operistike u vlerësuan  nga juria e përbërë nga emra të mëdhej të operas botërore, si Nikolas Pein Presidenti i Operas Europa, Luka Targeti Drejtor Artistik i Teatrit La Skala të Milanos, Joan Matabosch, Drejtor Artistik i Teatrit te Barcelones, Giovanna Lomazzi ZvPresidente e Aslico, personalitete të spikatur të botës së operas, si dhe profesioniste të operas shqiptare.   Përfaqësuesit e jurisë e konsideruan këtë takim me Kryetaren e Kuvendit si një ndjesi të mirë dhe me shumë vlerë për mbështetjen e artit, si një përçues i vlerave të mëdha kulturore të Shqipërisë. Ata shprehën kënaqësinë e tyre që në Shqipëri kanë gjetur kaq shumë talente, gjë që flet për një traditë të hershme e të pasur kulturore të kombit.   Duke biseduar mbi rëndësinë e artit dhe artistëve, Kryetarja e Kuvendit tha se ky festival është jo vetëm një eveniment i jashtëzakonshëm që i jep mundësi artistëve të rinj shqiptarë të garojnë  në një sfidë botërore, por mbi të gjitha një promovim i një kulture plot vlerë të Shqipërisë por edhe të Kosovës.   Ajo i bëri urimet më të mira, fitueses së re Evis Mula për suksese të tjera  në botën plot sfida por shumë të bukur të artit, duke shtuar se kombi ynë ka talente të mrekullueshëm, shumë artistë të operas që në gjurmët e të madhes Marie Kraja, nderojnë veten dhe vendin në skenat më të mëdha botërore, e kjo na bën të ndihemi shumë krenarë.   Zonja Jozefina Topalli siguroi se artistëve, veçanërisht të rinjve, nuk do tju mungojë asnjëherë mbështetja e saj personale, e po ashtu në  Kuvendin e Shqipërisë të gjithë artistët do të gjejnë gjithnjë dyert e hapura.        
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›