E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton dy projektligje

 

Në mbledhjen e datës 10 shtator 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjet:
1. Për ratifikimin  e kontratës së shitjes së 85 % të aksioneve të ARMO, sha-së, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe blerësit, AMRA OIL, sha, dhe konsorciumit Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group.
2. Për një shtesë në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996, Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, të ndryshuar.
Gjatë diskutimit të kontratës së shitjes së ARMO-s, ishte i pranishëm zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Neritan Alibali dhe stafi i tij. Ai prezantoi të gjitha hapat e bëra nga Qeveria për shitjen e kësaj kompanie, si dhe të dhënat kryesore të kontratës. Deputetët i drejtuan shumë pyetje dhe kërkuan sqarime për pika të ndryshme të kontratës, si dhe për procedurat e tenderimit. Deputetët e opozitës, të cilët kundërshtuan kontratën e shitjes, pas diskutimit të projektligjit u larguan pjesërisht nga mbledhja.
Në fund komisioni e miratoi këtë projektligj me 10 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.
Ndërsa projektligji i dytë, i cili është nismë e deputetit Flori Bajramaj, plotëson një boshllëk në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe të zgjedhurve, të ndryshuar. Me këtë nismë, i rijepet e drejta Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, të përfitojë pensionin suplementar, i cili i takon sipas ligjit.
Projektligji u miratua me të gjitha votat pro të deputetëve të pranishëm.  

(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›