E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton dy projektligje

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 3  shtator 2008, shqyrtoi projektligjet:
1. Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8934, datë 5.9.2002, Për mbrojtjen e mjedisit, të ndryshuar.
 2. Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e komunitetit Programi i veçantë për sipërmarrjen dhe novacionin (EIP), të programit kuadër të konkurueshmërisë dhe novacionit, 2007-2013.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit të parë,  ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e Ministrisë së  Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Gramoz Zelo dhe Madalena Koja. Ata shpjeguan se  këto ndryshime vijnë në kuadër të reformës rregullatore me qëllim  ndihmën e  biznesit vendas dhe të huaj,   duke shkurtuar afatet  e pajisjes së subjekteve me leje mjedisore, deklaratë mjedisore, autorizim  dhe pëlqim mjedisor. Gjithashtu, projektligji  dyfishon  masën e gjobës për subjektet që ndotin, ose dëmtojnë mjedisin. Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi  në parim, nen për nen  dhe në tërësi projektligjin.
Përsa i përket  projektligjit të dytë, u  theksua se kjo  marrëveshje nënshkruhet në zbatim të marrëveshjes kuadër  ndërmjet Republikës  së Shqipërisë dhe  Komunitetit Evropian për parimet e përgjithshme  të pjesëmarrjes së  saj në programet e komunitetit. Qëllimet specifike të programit EIP janë:1. Të  forcojë  konkurrencën  e ndërmarjeve, në veçanti të SME-ve
2. Të promovojë  të gjitha format e inovacionit.
Një objektiv tjetër i programit  është krijimi i  rrjetit të qendrave informuese  në nivel evropian, duke paraqitur  një lidhje ndërmjet institucioneve evropiane dhe aktorëve vendorë.
Detyrimet financiare  të Shqipërisë  për zbatimin e Memorandumit do të përballohen në masën 75% nga  instrumenti  i  asistencës komunitare CARDS 2005,  dhënë Shqipërisë  dhe në masën 25%, do të përballohen nga Buxheti i Shtetit.
Institucioni  përgjegjës për  zbatimin e këtij memorandumi  është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Në përfundim,  anëtarët e Komisionit e miratuan në  parim projektligjin dhe u shprehën dakord  për kalimin e tij për miratim në seancë plenare.

(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›