E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin Për ratifikimin e kontratës së shitjes së 85% të aksioneve të ARMO sh.a-së, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe blerësit AMRA OIL sh.a dhe konsorciumit Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group, në mbledhjen e tij të datës 15 shtator 2008.

Në mbledhje ishtin të pranishëm, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës: Engjëll Qorlazaj dhe Sokol Mati.

Ata shpjeguan se kontrata e sipërpërmendur është përgatitur në zbatim të VKM nr. 82, datë 3.2.2008, Për miratimin e instruksioneve për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e ARMO sh.a-së dhe VKM nr. 867, datë 18.6.2008 Për miratimin e raportit të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit të tenderit për privatizimin e ARMO sha-së

Në tenderin ndërkombëtar të zhvilluar për këtë privatizim janë paraqitur katër oferta dhe pas vlerësimit të tyre nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe pas plotësimit të mëtejshëm të dokumentacionit të kërkuar nga KVO-ja, vetëm tre prej tyre plotësuan dokumentacionin sipas këtyre kërkesave:

- Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group   93.16 pikë
- Vitol Euroil, sha, NFS Partners sa and USBCF Inc             69.49 pikë
- Petrofac Energy Developments International Limited             30.52 pikë

Në përfundim të procesit, KVO-ja shpalli fitues të tenderit për privatizimin e ARMO sh.a-së Konsorciumin Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group.

Çmimi i blerjes së 85% të aksioneve të ARMO sh.a-së është 128 750 000 euro dhe investimet e detyrueshme për tu realizuar, janë në shumën 240 milionë USD.
Çmimi i shitjes së 85% të aksioneve do të paguhet me një këst dhe është kusht për efektivitetin e kontratës. Mospërmbushja e këtij detyrimi përbën shkak për zgjidhjen e kontratës dhe sekuestrimin e garancisë bankare. Garantimi i realizimit të këtij investimi parashikohet në kontratë dhe do të bëhet në mënyrë solidare nga të gjithë anëtarët e konsorciumit.
Gjatë diskutimeve, disa nga deputetët e opozitës, kërkuan më shumë kohë për tu njohur me kontratën e privatizimit.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni me shumicë votash, u shpreh dakort për kalimin e këtij projektligji për miratim në seancë plenare.

(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›