Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton disa shtesa për koncensionet
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9663, datë 18.12.2006, Për koncesionet, në mbledhjen e tij të datës 17 shtator 2008.
Në mbledhje ishte i pranishëm, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Alfred Rushaj.
Ai shpjegoi se gjatë zbatimit të ligjit nr. 9663, datë 1.12.2006, Për koncesionet u evidentuan disa marrëdhënie të reja juridike të krijuara mes shtetit dhe subjekteve private. Këto marrëdhënie nuk janë shumë të qarta dhe ky ligj nuk mundësonte zgjidhjen juridike të tyre.
Për këtë arsye u pa e domosdoshme të bëhen disa ndryshime, të cilat do të mundësojnë zgjidhjen e tyre.
Për projektet shtesë të një projekti të dhënë me koncesion, sipas ligjit aktual, duhej të ribëheshin procedura konkurimi për dhënien me koncesion edhe për shtesën.
Kjo synohet të rregullohet nëpërmjet nenit 1, të projektligjit, i cili bën një shtesë në nenin 4 të ligjit ekzistues sipas së cilës për projektet që janë pjesë përbërëse dhe të pandashme të një projekti, nuk do të zbatohet ligji Për koncesionet.
Sipas ligjit ekzistues, Këshilli i Ministrave i shqyrton projektet e paraqitura, kur miratohet dhënia e koncesionit dhe kur përcaktohet autoriteti kontraktues, si dhe kur miratohet marrëveshja e koncesionit. Kjo procedurë ndiqet edhe për projekte me vlerë të vogël, duke bërë që të ketë një volum pune të panevojshëm nga Këshilli i Ministrave dhe duke rënduar me procedura këto sipërmarrje të projekteve me vlerë investimi nën 20 milionë lekë.
Kjo propozohet të rregullohet me anë të një ndryshimi në pikën 4, të nenit 21, duke bërë një diferencim mes projekteve me vlerë nën 20 milionë lekë dhe atyre me vlerë mbi 20 milionë lekë. Të parat hyjnë në fuqi me nënshkrimin e autoritetit kontraktues dhe të dytat pas miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës patën disa paqartësi dhe kërkuan praninë e një drejtuesi politik të Ministrisë. Shqyrtimi i projektligjit do të vazhdojë në mbledhjen e ditës së nesërme, në orën 9 00.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).