Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskuton nen për nen projektligjin Për autoritetin e aviacionit civil.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 25.1.2010, në orën 11:00, filloi shqyrtimin nen për nen projektligjit: Për autoritetin e aviacionit civil.
Ishin të pranishëm në mbledhje Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie: Lilika Radovicka, Ervin Mazniku, Alfred Avdyli dhe Ervin Minarolli, të cilët u shprehën në lidhje me përparësitë dhe qëllimin e këtij projektligji, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Projektligji ka si qëllim zbatimin e legjislacionit europian në fushën e trasportit ajror. Ky detyrim i ka lindur Republikës së Shqipërisë me ligjin Nr.9658/2006, i cili ka ratifikuar marrëveshjen shumëpalëshe ECAA për krijimin e një Zone të Përbashkët Europiane të Aviacionit Civil.
Hartimi i këtij projektligji gjithashtu është në zbatim të ligjit Nr.10040, datë 22.12.2008 Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë, ku nenet 6, 8 dhe 9 përcaktojnë Autoritetin e Aviacionit Civil si autoritetin kompetent, krijimin dhe përgjegjësitë e e tij.
Në të njëjtën kohë, ky kod përcakton si detyrë të këtij projektligji, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, si dhe përcaktimin e tarifave për shërbimet që ofron ky autoritet, administrimin e të ardhurave nga këto shërbime dhe mënyrën e llogaritjes së tyre.
Deputetët gjatë diskutimeve të tyre e përkrahën një nisëm të tillë, duke shprehur nevojën e krijimit të këtij autoriteti si për të plotësuar sistemin ligjor në fushën e trasportit ajror, ashtu edhe për forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e këtij legjislacioni.
Gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit, anëtarët e komisionit propozuan disa ndryshime në nenet: 1, 2, 3, 4, 6, 7, 11, 12, 15 , 17, 18, 19, 27 dhe 28.
Në varësi të këtyre ndryshimeve do të rregullohet renditja dhe të bëhet rregullimi i referencave.
Në përfundim, projektligji u votua nen për nen dhe në tërësi. Anëtarët e Komisionit e miratuan projektligjin në fjalë, me ndryshimet e bëra në Komision dhe u shprehen dakort për kalimin e tij për shqyrtim në seancë plenare.