Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare në Mesdhe të Konventës së Barcelonës, Për mbrojtjen e mjedisit d
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 28.1.2010, në orën 11:00, shqyrtoi projektligjin: Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare në Mesdhe të Konventës së Barcelonës, Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave: Bajram Ejdiaj dhe Laureta Dibra.
Fillimisht u dëgjua relatori i komisionit për këtë projektligj, deputeti Besnik Dusha. Ai shpjegoi se vendi ynë është anëtar në Konventën e Barcelonës Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut që prej vitit 2001.
Në kuadër të kësaj konvente janë dhe gjashtë protokolle prej të cilave, janë ratifikuar vetëm katër. Ky protokoll që vjen për ratifikim në Kuvend synon të ruajë dhe të përdorë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm zonat bregdetare të Detit Mesdhe si natyrë e përbashkët dhe me trashëgimi kulturore. Protokolli kërkon një kuadër të përbashkët masash prej organeve të qeverisjeve vendore përkatëse për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare në Mesdhe.
Për shtetet anëtare lindin detyrime për hartimin e strategjive për menaxhimin e mjedisit detar, zonave bregdetare, hartimin e planeve e projekteve për menaxhimin e integruar të tyre.
Zbatimi i këtyre masave mbart një kosto financiare që do të planifikohet çdo vit në përputhje me masat, angazhimet dhe detyrimet konkrete që do të kenë organet shtetërore në zbatim të këtij protokolli. Institucioni përgjegjës për zbatimin e këtij protokolli është Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave.
Ai e ftoi komisionin ta miratojë në parim këtë marrëveshje, sepse ajo është plotësisht në përputhje me përparësitë e Qeverisë për menaxhimin e mbrojtjen e zonës bregdetare.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni e miratoi në parim projektligjin dhe u shpreh unanimisht dakort që ai të kalojë për miratim në seancë plenare.