Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin merr në shqyrtim projektligjin Për autoritetin e aviacionit civil.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 21.1.2010, në orën 11:00, filloi shqyrtimin e projektligjit: Për autoritetin e aviacionit civil.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve: Lilika Radovicka, Feliks Baci dhe Ervin Minarolli.
Fillimisht u dëgjuan shpjegimet e relatorit të komisionit për këtë projektligj. Ai shpjegoi se ky projektligj i propozuar nga MPPTT ka për qëllim të përcaktojë organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil në Republikën e Shqipërisë. Krijimi i Autoritetit të Aviacionit Civil është rekomandim i Këshillit të Evropës dhe me krijimin e tij, pushon së vepruari Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil dhe të gjitha kompetencat e saj i merr Autoriteti.
Ky projektligj është një hap për përafrimin e legjislacionit të kësaj fushe me atë të vendeve të BE-së, do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve institucionale me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë të transportit ajror. Relatori i komisionit u shpreh dakort në parim me projektligjin dhe ftoi deputetët ta miratojnë.
Më tej, u dëgjuan shpjegimet e përfaqësuesve të ministrisë dhe u vijua me pyetjet e deputetëve.
Shqetësimet kryesore të anëtarëve të komisionit ishin:
-Të gjendet termi i përshtatshëm për termin licencim në nenin 3.
-Në nenin 7, pikat b, c dhe dh, të rishihen për tu përputhur me nenet në vazhdim të projektligjit, përsa i përket kompetencave.
-Neni 18 të bashkohet me nenin 17.
-Të përputhen pika 2 me pikën 3, të nenit 17.
- Të rishihen afatet tek neni 27.
Projektligji u miratua në parim. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit do të vazhdojë në mbledhjen e ardhshme të komisionit, pasi të përfaqësuesit e ministrisë të reflektojnë për çështjet e mësipërme.