Kryeministri Berisha merr pjesë në hapjen e zyrës së fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri
Kryepalamentari gjerman Lammert: Roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe, sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i parlamentit, nuk ka rëndësi se me çfarë argumentimi
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së zyrës, së fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, në Shqipëri”. Për të përshëndetur ceremoninë e hapjes të kësaj zyre, në Tiranë kishte ardhur edhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert. Në prani edhe të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, ambasadorit gjerman në Tiranë Bochard, si dhe mjaft personaliteteve politike të dy vendeve, Presidenti i Bundestagut Gjerman Norbert Lammert e cilësoi hapjen e kësaj zyre, si një ngjarje shumë të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe një hap përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.
Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari gjerman Lammert u ndal ndër të tjera, në momentin e bojkotit parlamentar që po kalon Shqipëria duke deklaruar se: "Duke qenë se në sistemet demokratike, roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe, sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i parlamentit, nuk ka rëndësi se me çfarë argumentimi. Dhe sigurisht që kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson cilësinë e vet, edhe nëse bazohet në precedentë të mëparshëm. Një parlament është platforma, apo forumi më i rëndësishëm demokratik që mund të ekzistojë në një sistem demokratik. Ndaj unë do të doja të shfrytëzoja rastin e hapjes së kësaj zyre, që të mund të mbështesja çdo lloj përpjekje për kapërcimin e të gjitha rezervave të mundshme, përplasjeve të mundshme në cilëndo lloj mënyre, në mënyrë që të garantohet funksioni kaq thelbësor i parlamentit”.
Në përfundim të kësaj ceremonie, kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave, në lidhje me zhvillimet politike në vend.
Unë mendoj se është tërësisht e panevojshme që një problem si ky të hyjë në sferën e thashethemes. Ne e kemi bërë shumë të qartë pozicionin tonë, se ne mirëpresim kontributin e cilitdo personalitet, natyrisht Presidentit të Republikës dhe cilitdo tjetër, që e ndjejnë se mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Kjo deklaratë është bërë nga unë, tri ditë më parë, kjo deklaratë është bërë dje nga kryetari i grupit parlamentar, kjo deklaratë qëndron plotësisht. I vetmi problem që ne kemi dhe asgjë tjetër, është se ne mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos dështimin është i vlefshëm; një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një takim që jep rezultate.
I pyetur nëse ky takim është duke u përgatitur ndërkohë, kryeministri Berisha u përgjigj:
Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme.
I pyetur nëse takimi me ambasadorët e huaj, kishte si temë diskutimi edhe takimin e mundshëm të kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Rama, si dhe për komisionin hetimor për zgjedhjet, kryeministri Berisha u përgjigj:
Ka patur tërësisht një subjekt krejtësisht tjetër dhe nuk ka patur asnjë lidhje me temën, për të cilin ju bëni fjalë. Përsa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë ju, se ne që nesër do ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë. Ka një rezolutë, kërkesat e të cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj hezitimi. Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtoj rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi dhe të zbatojmë. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar, është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama.
I pyetur nëse ka ndonjë vështirësi për t’u ulur në tryezën e presidentit Topi, duke e paragjykuar atë si ish-vartësin e tij, kryeministri Berisha u përgjigj:
Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t’u ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për t’u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë.Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon rezolutën, kushdo që lexon shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel, shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar.
I pyetur nëse do të shkonte në një tryezë me zotin Rama, pas një ftese publike të zotit Topi, kryeministri Berisha, u përgjigj:
Që sot. Do i le të gjitha. Unë kategorikisht nuk refuzoj. E vetmja gjëqë e them edhe një herë e dobishme, është që të firmosim një sukses, besoj se kjo është normale apo jo.
I pyetur nëse ka negociata ndërkohë ose kanale komunikimi mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, kryeministri Berisha u përgjigj:
Unë nuk do të ndërpres kurrë komunikimin me kundërshtarët e mi, është një normë konstante e imja. Kundërshtari është kundërshtar, komunikimi është komunikim. Nuk ia lejoj vetes unë që të ndërpres komunikimin.
I pyetur në lidhje me ardhjen e delegacionit të Këshillit të Evropës, kryeministri Berisha u përgjigj:
Këshilli i Evropës ka miratuar një rezolutë shumë serioze, shumë solide në të cilën Këshilli i Evropës shprehet në respekt total ndaj institucioneve të këtij vendi. E dyta, Këshilli i Evropës kërkon në mënyrë të qartë dhe eksplicite njohjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve; e treta, Këshilli i Evropës kërkon nga qeveria shqiptare të ngrejë komision hetimor parlamentar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i kërkon opozitës të hyjë në parlament për të marrë pjesë në punimet e këtij komisioni. Këshilli i Evropës jep sugjerime për shumë çështje. Prandaj them që është më mirë që këtë çështje ta marrim ne në dorë dhe ta çojmë përpara, se sa t’ua lëmë ju si objekt hamendjesh dhe thashethemesh të pafundme.
03/02/2010