Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin fillon shqyrtimin e projektligjit Për detergjentët".
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 25.11.2009, në orën 11:00, filloi shqyrtimin e projektligjit Për detergjentët".
Ishin të pranishme në mbledhje: përfaqësueset e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Elfrida Bino dhe Erinda Prifti.
Fillimisht u dëgjuan shpjegimet e përfaqësueseve të ministrisë. Ato shpjeguan se me anë të këtij projektligji zbatohet detyrimi që vjen nga neni 75 i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Qëllimi i ligjit është rregullimi i kuadrit ligjor për vendosjen në treg të lëndëve larëse dhe lëndëve larëse tensioaktive, duke garantuar në të njëjtën kohë nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njerëzve, në përputhje me kushtet, karakteristikat dhe kufizimet e parashtruara në ligj.
Projektligji për herë të parë përshtat rregulloren EC 648/2004 për lëndët larëse. Rregullat teknike për etiketimin dhe substancat aromatike alergjene, mënyrat e testimit të biodegradueshmërisë së lëndëve tensioaktive për lëndët larëse, standardet e akreditimit dhe laboratorët do të vendosen nëpërmjet VKM-ve që do të miratohen në zbatim të këtij ligji.
Zbatimi i projektligjit nuk sjell efekte financiare në projektbuxhetin e vitit 2009.
Deputetët bënë vërejtje për nene të veçanta me qëllim përmirësimin e ligjit dhe u lanë detyrë përfaqësuesve të ministrisë që në mbledhjen e nesërme, të sjellin një draft ku të jenë reflektuar këto vërejtje.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan në parim projektligjin. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit do të vazhdojë në mbledhjen e nesërme të komisionit, në orën 11:00.