E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER shpronËsimin, pËr INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR FUSHË-KRUJË - MILOT

V E N D I M
 
 
PëR
 
shpronësimin, për INTERES PUBLIK, Të PRONARëVE Të PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR FUSHë- KRUJë - MILOT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”,  dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”,  të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor Fushë-Krujë – Milot.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
 
3. Pronarët e pasurive  të paluajtshme,  që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet   këtij  vendimi, për sipërfaqen  44 906 (dyzet e katër mijë e nëntëqind e gjashtë) m2 , tokë arë, me vlerë 18 955 868 (tetëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë, për sipërfaqen 8 962 ( tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy) m2, tokë truall, me vlerë 18 820 200 (tetëmbëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet mijë e dyqind) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi  37 776 068 (tridhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëdhjetë e tetë) lekë.
 
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 057 500 (një milion e pesëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.   
 
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 37 776 068 (tridhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëdhjetë e tetë) lekë, të përballohet nga “Llogaria e veçantë”, e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
 
6. Shpronësimi të fillojë më 15.2.2010 dhe të përfundojë më 15.5.2010.
 
7. Për pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Proces saktësimi”, të bëhet kompensimi, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar ky proces, në bazë të konfirmimit që do të merret nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Krujë, dhe të dokumentacionit të pronësisë.
 
8. Pronarët e pasurive, për të cilat është dhënë konfirmimi nga ZRPP-ja, Krujë, me “Barrë hipotekore”,  të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë shlyer detyrimet ligjore dhe pasi pasuria përkatëse të jetë e lirë nga çdo barrë e vendosur mbi të, fakt i cili do të provohet po në bazë të një konfirmimi  të dhënë nga ZRPP-ja përkatëse dhe dokumentacioni i pronësisë.
 
9. Pronarët e përmendur në listen, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
 
10. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e  pronarëve të pasurive, për të cilat janë bërë shënimet përkatëse “Proces saktësimi” dhe “Barrë hipotekore”, sipas pikave 6,7 e 8, të këtij vendimi, ndërsa për pronarët e konfirmuar të kryejë likuidimin në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
 
11. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij  vendimi.
 
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare". 
          
K R Y E M I N I S T R I
 
 
SALI BERISHA03/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›