E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton disa propozime për Projektbuxhetin 2010

  Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 23.11.2009, në orën 11:00, shqyrtoi nen për nen projektligjin Për buxhetin e shtetit të vitit 2010.
 
Ishin të pranishëm në mbledhje: sekretari i Përgjithshëm  i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Durim Kraja;   përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit: Valbona Paluka, Irfan Tarelli, Niko Roshanji, Agron Vata dhe Beatriçe Bezhani, përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit: Pëllumb Abeshi  dhe Flora Llukmani.   Fillimisht  u dëgjuan  propozimet për shtesa dhe ndryshime nga përfaqësuesit e  këtyre tri ministrive.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni vendosi të mbështesë kërkesat e paraqitura nga këto ministri si më poshtë:   Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit:
Komisioni, duke vlerësuar buxhetin e përmirësuar të kësaj ministrie në krahasim me një vit më parë, si dhe duke vlerësuar faktin që bujqësia konsiderohet sektor prioritar, vendosi të mbështesë investimet në këtë ministri me një shtesë prej 500 milionë lekësh,  të ndarë në projektin Për skemën e ullirit 300 milionë lekë, në programin Për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit 100 milionë lekë dhe në programin Për sigurinë ushqimore 100 milionë lekë.   Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kërkoi një shtesë fondi prej 80 milionë lekë në zërin kosto lokale, për projektin e Porto Romanos, i cili planifikon punime civile të rehabilitimit të zonës së ndotur,. Financimi i huaj për këtë projekt është planifikuar në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, kështu që Komisioni vendosi që kjo shtesë fondi të akordohet në buxhetin e MPPTT-së.   Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kërkoi një lëvizje brenda projekteve të saj, pa qenë nevoja të shtohen fonde shtesë. Si projekti për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Aplikimeve Energjetike,  ashtu edhe projekti për pajisje me laboratorë për metrologjinë,  shihen si shumë të rëndësishëm nga ministria.   Në përfundim, komisioni e miratoi në tërësi projektligjin dhe u shpreh unanimisht dakort që ai të kalojë për miratim në seancë plenare, me ndryshimet që ju bënë gjatë shqyrtimit  nen për nen.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›