Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton nen për nen projektligjin Për ratifikimin e protokollit II shtesë, Për përkufizimin e konceptit Produkte origjinuese dhe metodat e bashkëpunimit ekonomik
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 24.11.2009, në orën 11:00, shqyrtoi nen për nen projektligjin Për ratifikimin e protokollit II shtesë, Për përkufizimin e konceptit Produkte origjinuese dhe metodat e bashkëpunimit ekonomik, që zëvendëson protokollin me të njëjtin numër, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë".
Ishin të pranishme në mbledhje: përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Oriela Pazaj dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Integrimit, Hilda Mezini.
Fillimisht u dëgjua relatori i Komisionit për këtë projektligj, deputeti Gëzim Dibra. Ai shpjegoi se ky protokoll siguron kumulimin dypalësh të origjinës së mallrave në shkëmbimet tregtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e CEFTA-s 2006, parashikon kumulimin diagonal të origjinës, jo vetëm ndërmjet vendeve të CEFTA-s, por dhe me Turqinë, BE-në dhe vendet e EFTA-s.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në parashikon kumulimin diagonal të origjinës edhe ndërmjet vendeve të CEFTA-s, të përfshira në procesin e Stabilizim Asociimit, si dhe me Turqinë. Kjo ishte arsyeja e ndryshimit dhe harmonizimit të rregullave në MTL-në me Turqinë.
Më 30.7.2009 Komiteti i Përbashkët Shqipëri-Turqi vendosi të ndryshojë protokollin ekzistues të rregullave të origjinës dhe të bashkëpunimit doganor të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.
Protokolli i ri përmban edhe disa ndryshime teknike të cilat synojnë korrigjimin e disa parregullsive ndërmjet versioneve të ndryshme gjuhësore në tekst.
Protokolli i ri do të ndihmojë eksportuesit tanë për të përdorur lëndë të para si nga Bashkimi Europian dhe nga Turqia. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij protokolli janë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave.
Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi projektligjin dhe u shpreh unanimisht dakord që ai të kalojë për miratim në seancë plenare.