E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar.

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 1.2.2010, në orën 11:00, shqyrtoi   projektligjin: Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar.
 
Ishin  të  pranishëm në mbledhje përfaqësuesit  e Aluiznit  Liliana Hasani  dhe Florian Bajrami, si dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave Isida Koka.
 
Fillimisht u dëgjua  relatori i komisionit për këtë projektligj. Ai shpjegoi se në  projektligjin, që  ka ardhur për shqyrtim, pagesa, deri në 50% të vlerës me bono privatizimi, shtrihet edhe për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha me sipërfaqe deri 500 m2 ( pikat a, b, c, c dhe d te nenit 19) dhe për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha me sipërfaqe deri 300 m2 (pikat a, b dhe c të nenit 20 të ligjit bazë).
 
Në draftin e paraqitur nuk është shënuar pika d e nenit 19, që mendohet se është një gabim në shtypshkrim dhe për këtë arsye,  u shënua si e mirëqenë më sipër. Në titullin e projektligjit duhet bërë edhe një korrektim në numrin e ligjit bazë: numri 9432 duhet zëvendësuar me 9482.
Në përfundim, ai propozoi të shtohet nje nen  per ndryshimin e nenit 21:
 
Neni 3
Në  nenin 21 në fund të pikës 1, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
 
Pronari i ndërtimit pa leje që trajtohet sipas  shkronjave  a, b dhe c  të paragrafit të parë të kësaj pike, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës të sipërfaqes së zënë më shtesë anësore pa leje në ndërtimet me leje.
 
Këto shtesa, kanë një ndikim të ndjeshëm për qindra mijra familje të përfshira në këtë proces dhe  janë në përputhje të plotë me programin e qeverisë, prandaj ai ftoi komisionin ta kalojë projektligjin për miratim në seancë plenare  me ndryshimet e propozuara.
 
Specialistët Aluiznit u shprehën dakord me këto ndryshime.
 
Pas diskutimeve,   Komisioni  e votoi  projektligjin nen për nen dhe në tërësi. Anëtarët  e Komisionit e miratuan projektligjin në fjalë,  me ndryshimet e bëra në komision dhe u shprehen  dakort për kalimin e tij për shqyrtim në seancë plenare.
 
 
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›