E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin për sistemin e kanalizimeve Korça IV

 


Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe të projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Gjermane për rindërtim dhe zhvillim (KFW), për financimin e projektit Sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, Korça IV,  në mbledhjen e datës 22 dhjetor 2008.

Në mbledhje ishte e pranishme  përfaqësuesja e  Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve Vilma Bibolli.

Ajo shpjegoi se  kjo marrëveshje ka si qëllim financimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza, Korça IV, për të sjellë një sistem të përmirësuar dhe të qëndrueshëm kanalizimesh për këtë qytet.

Ky investim që ka vlerën prej 15 milionë euro do të realizojë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të përdorura, ndërtimin e kolektorëve për mbledhjen e ujërave të shiut si dhe shërbime konsulence.

Agjencia e zbatimit të këtij projekti, do të jetë ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, Korçë, e cila do të miratojë projektet teknike, dokumentacionin, përgatitjen dhe supervizionin e shoqërive të ndërtimit, do të japë konsulencë etj. Projekti parashikohet të realizohet për një periudhë prej tre vjetësh.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakord për kalimin e kësaj marrëveshje për miratim në seancë plenare.


(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›